NGA GENTIAN GABA
Zhurma e përditshme e shkaktuar nga rropama politike, e cila lë indiferente pjesën më të madhe të qytetarëve, pasi çështjet që trajtohen janë të personazheve me kostum e kollaro, që gjallërojnë ekraneve dhe sallave të kuvendit, dhe jo të njerëzve të thjeshtë, duket se ka arritur të mbajë artificialisht në këmbë spikamën e një realiteti normal, por që është thellësisht në krizë.
Gjuha e helmatisur, akuza akuzatorësh të diskredituar, xhingla-minglat, kacavjerrjet, tymi, batutat, karriget e përmbysura, revolucione online, buxhete të bëra skutash, komisione të bëra maleve dhe partizançe, janë një koreografi e studiuar për të krijuar perceptimin se spektakli vazhdon. Madje, për të treguar se spektakli vazhdon, edhe kur goditja bëhet më e fortë.
Por, a është kështu?
Në fakt, jo. Ajo që po ndodh në politikën shqiptare qysh pas 9 shtatorit, e që po kulmon me vringëllimin e shpatës së zjarrtë të drejtësisë, është historike dhe ka ndryshuar rrjedhën e lumit të politikës.
Nuk duket ende me sy të lirë, pasi siç u tha më sipër, po bëjnë sikur çka po ndodh, është diçka rutinore, e zakonshme. Nuk është aspak kështu.
Ngjarjet po trondisin thellë skenën politike, duke prodhuar një shock tek njerëzit që kanë mbajtur dhe mbajnë postet më të larta në hierarkinë institucionale dhe politike të vendit, ish-presidentë, ish-kryeministra dhe kryeministri aktual.
Hetimet e SPAK-ut, janë forca që po i shtyjnë ata të veprojnë në mënyrë të tillë që aksionet të mos kuptohen nga aktet, por nga pasojat që ato prodhojnë.
II. Kështu merr kuptim, edhe në zbatimin politik, gjuha oruelliane e tyre, përmbajtja e të cilës kuptohet kur përbyset, lexohet mbrapsht, skiç, si të doni, veçse jo në mënyrën tradicionale, nga e mjata në të djathtë, me emër, mbiemër, folje, ndajfolje, etj..
Është një gjuhë që përmban një kod, një kod heshtje, përmes të cilit kërkojnë mbijetesën, mbrojtjen e asaj që mund të mbrohet nga trashëgimia personale, familjare e politike. Dhe mbijetesën, mund ta arrijnë vetëm bashkë, pasi të ndarë nuk ka garanci.
Për shumë gjatë vepruan nën “dilemën e të burgosurit”, të pasigurtë se çfarë u kishin deklaruar partnerëve për njëri-tjetrin, apo cilat ishin planet e partnerëve për ta. U përpoqën të kornizonin shoshoqin për t’i shpëtuar aksionit që po organizohet pas 30 vitesh pandëshkueshmëri, apo për të ndryshuar vendin në rradhë, me shpresën se “bisha” do të ngopet po hëngri njërin nga ata.
Por, tani që panë me sy se askush nuk është më i paprekshëm, kanë kuptuar se për të mbijetuar sa të munden, kanë nevojë për njëri-tjetrin. Një vëllazëri hallexhinjsh të rangut të lartë, për t’i vendosur shkopinjtë nën rrota manovrës së gjërë të pastrimit të politikës dhe rinovimit të saj, me pseudo lufta, pseudo kauza, pseudo akuza, pseudo mazhoranca dhe pseudo opozita.
Me këtë shfaqje të madhe, në të cilën njëri bën policin e mirë dhe tjetri policin e keq, për t’u treguar ndërkombëtarëve se këtu jemi bash dielli dhe shiu, kërkojnë të mbajnë të bllokuar elementin kryesor, që kërcënon po aq sa drejtësia mbijetesën e tyre, dhe që bashkë me drejtësinë kompleton kalimin në një stad tjetër të politikës shqiptare. Një opozitë e reformuar, e ndarë nga e shkuara, në kontrast të thellë me mazhorancën e korruptuar të Edi Ramës dhe me atë pjesë të opozitës, që në sytë e shqiptarëve, është mazhoranca e vjetër Berisha-Meta.
Prandaj, vrulli njëmujor i shfaqjes me karrige, penxhere, kangjella, është sa përdorimi i kësaj zhurmë për të trembur frikën, si ata njerëzit e humbur në pyll, por edhe mënyra më e mirë, që të mos dëgjohet asgjë tjetër përveç uturimës së tyre plot halle.
Dhe kështu, revolucioni bashkë me rendmbajtësit, duket si një lojë ngriva-shkriva, që ndizet dhe fiket sapo i duhet treguar pushteteve të tjera, qytetarëve dhe ndërkombëtarëve se, jemi ne këtu dhe nuk ikim kollaj.
Prandaj revolucioni i karrigeve, përfundoi online, ku deputetët e Ramës e të Berishës diskutojnë ligjin më të rëndësishëm të vitit në skype, sikur të ishin miq kafenesh, paçka se u shanë e u përjashtuan sikur të ishin në hasëm me njëri-tjetrin. Por, kjo ishte loja. Të mbyllnin parlamentin, që buxheti të ishte çështje e Ramës dhe Berishës, jo e qytetarëve.
Po kështu, mbahet peng Reforma Zgjedhore, me vullnet të Ramës dhe me bekim të Berishës, duke vendosur në dyshim gjëra që në dyshim nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë, mbi përparësinë e subjekteve që udhëheqin këtë proces, për të provokuar zvarritje, lodhje dhe bllokim.
Po kështu, miratohet nga ana e Berishës marrëveshja personale e Ramës me Melonin, në këmbim të simetrisë me të cilën bashkëndajnë skenën politike, si një ekuilibër terrori nga i cili, eliminimi i njërit shënon edhe asgjësimin e tjetrit.
Po kështu, SPAK sulmohet nga të dy për ta delegjitimuar. Natyrisht secili sipas mënyrës së tij. Berisha duke e sharë frontalisht, ndërsa Rama duke u përpjekur t’i presë krahët me përqafimin vdekjeprurës që lind nga fjalët, “Drejtësinë e bëra unë”. Krejt ndryshe nga e vërteta e 140 votave pro, e presionit të ethshshëm të SHBA-ve dhe BE-së, që në fakt i shkoi lodrën ligjvënësve të Kuvendit. Por, sikur të mos mjaftonte, le të kujtojmë se si OFL-ja e krijuar nga Rama u sajua për të futur në mbingarkesë veprimtarinë e SPAK-ut. Po ashtu, le të sjellim në vëmendje përlasjen e Kryeministrit me përfaqëusesen e SHBA-ës, për zgjedhje e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme. Momenti vendimtar, që i dha hov të ri ekzistencës së SPAK-ut, që dukshëm ka krijuar pakënaqësi transversale.
III. Ja pra, prandaj sillen kështu. Kjo është vjeshta e tyre politike. Dimri po troket dhe janë gjetur me plane krejt të zbuluara, të cilat mund të ngrohin disi zemrat e militantëve të tyre në mëditjen e mbijetesës politike. Por rruga mbetet pa kthim.
Ndaj dhe opozita ka një punë jo të lehtë përpara. Gjendja e rëndë e demiurgëve të sistemit do të thithë mjaft energji në dekikat e fundit të kësaj lufte për mbijetesë.
Do të duhen ende energji të mëdha për t’i shoqëruar drejt banesës së fundit politike ata që kanë kapitale të mëdha financiare dhe mediatike, kësodore përballja duhet të jetë asimetrike.
Interesi i të rreshtuarve në bangën e të akuzuarve dhe të atyre që pritet t’iu bashkohen, është të mbajnë të ngërthyer opinionin publik te gjëra që janë pa interes për qytetarët, duke eliminuar nga debati shoqëror çdo formë komunikimi, që artikulon zgjidhje për çështje që prekin jetën e përditshme të shqiptarëve.
Ata nuk duan këtë. Duan të flitet për ta. Duan t’i përdorin selitë e partive të tyre si zyra avokatie, nga të cilat të shpallen të përndjekur politik dhe njëkohësisht të lëshojnë pretenca bombastike ndaj “kundërshtarit”, për të ushqyer ciklin e lajmeve, kanal më kanal, portal më portal, rrjet social më rrjet social.
Ndoshta nuk është ndonjë jetë kushedi se çfarë, por, Andreotti, që dinte diçka për korrupsionin, politikën dhe lidhjet e saj me krimin, thoshte: “Tirare a campare è meglio che tirare le cuoia” (e përkthyeshme me fjalët “më mirë të mbijetosh sesa të vdesësh”, ose, duke e përshtatur me rastet konkrete, më mirë një tmerr pa fund sesa një fund i tmerrshëm). Me shumë gjasë një leksion i vyer për treshen më jetëgjatë të tranzicionit.
Për t’i shpëtuar kurthit të futjes në grackën e hallexhinjëve, që janë rreshtuar në dyert e SPAK, e që kërkojnë pretekst për t’u marrë me këdo, vetëm për të hequr vëmendjen nga halli i tyre me drejtësinë, detyra e opozitës është të merret me njerëzit dhe jo me ata. Të komunikojë me qytetarët dhe për problemet e tyre, jo me pak politkanë të dëshpëruar që janë kthyer në një vrimë të zezë nga e cila nuk del asnjë rreze dritë.
Sigurisht është e vështirë të ndërtosh diçka teksa është në vijim një tërmet që po shkreton peizazhin e mëparshëm politik, ndaj para se të nisë rindërtimi, duhet pritur kalimi i tërmetit, duke ndjekur strategjinë që ka në fokus zgjedhësin.
Zgjedhjet e ardhshme janë shumë pranë, por afrimi i tyre, në një kontekst politik dinamik(shumë politikanëm nuk do të kapin në liri verën që vjen), nuk duhet të shtyjë në gabime të diktuara nga padurimi për t’u futur në një betejë me njerëz që nuk kanë asgjë për të humbur, dhe mbi të gjitha, që e kanë përballjen me drejtësinë dhe jo me aktorë të tjerë politikë.
Politikanë me halle të tilla, bashkë me ushtarët e tyre të zellshëm, mezi presin zgjerimin e fushës së luftës, sepse kështu diversifikojnë lëmin e titujve të ububushëm me pengje, kapje, shitje e blerje. Si disa të mbytur, që kërkojnë të mbysin një spektër të tërë politik, duhen lënë në fatin e tyre. Sado provokuese të tingëllojnë veprimet, akuzat dhe sulmet që përdoren. Janë një stuhi e vdekur.
Sifda e rindërtimit të opozitës është ta rikonceptojë veten larg politikës së zakoshme të zhurmës dhe sherrit, që nuk prodhon asgjë për njerëzit, por të jetë çdo ditë pranë qytetarëve, të flasë, të dëgjojë, të propozojë, të reflektojë shpresat, ambiciet dhe ëndrrat e tyre.
Ndaj, pas një përballje të gjatë të brendshme, nisur më 9 shtator 2021, ata që po vijojnë këtë rrugëtim ndryshimi, kanë për detyrë të jenë “skllevër” të strategjisë, e cila kërkon rigorozitet dhe kolegjialitet në etapat e ringritjes, që kalojnë nga riorganizmi në çdo fshat e qytet, si dhe formësimi i programit dhe ekipit që do të zbresë në terren në zgjedhjet e ardhshme, i cili duhet kompletuar përpara 31 marsit të vitit që vjen.
Tani që koha u ka dhënë të drejtë për shumëçka, me bregun që ka nisur të duket në horizont pas një udhëtimi rraskapitës oqeanik, nuk duhet të tundohen nga loja se kush bën më shumë pis tjetrin, në të cilën kërkojnë që t’i zbresin, e cila mban lart “testosteronin” e ciklit 24 orësh të titujve e klikimeve, por është vakum dhe vanitet që nuk ka rëndesë dhe rëndësi për njerëzit.
Ajo që ka rëndësi, e që pas një dekade trazimesh të brendshme e të jashtme do të duhej të ishte e qartë për ata që kërkojnë të sjellin ndryshimin, është që ata të jenë ndryshimi që duan të sjellin, duke qenë ndryshe nga sa kanë qenë më parë, dhe ndryshe nga kundërshtari.
Kjo është edhe rruga që ka ndjekur Basha pas rikthimit të tij. Teksa ata që ai ka pagëzur si Trekëndëshi i Bermudës, një emërtim që është bërë ikonik, janë në radhë për në SPAK, ai ka propozuar platformën politike për Reformën Zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese, për të zhbërë marrëveshjen e 2008-ës, si dhe po zhvillon një tur në gjithë Shqipërinë për të dëgjuar njerëzit dhe për të rindërtuar partinë, të goditur rëndë nga ai që kërkoi ta rrëmbente për ta përdorur si mburojë në betejën e tij kundër SHBA dhe drejtësisë.
Është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, që shkon përtej Unazës së vogël të Tiranës, e cila ka defektin e vjetër ta shohë veten si qendra e një vendi të cilit nuk i ngjan, e me të cilin nuk ndan asnjë hall.
Atje janë votat, atje fitohen zgjedhjet, ndërsa në Unazë, me muhabetet e vjetra e të lodhura të tavolinave që përcillen portaleve dhe ekraneve, vetëm ngec. Siç ka ngecur gjithçka për shumë gjatë…