Partia Demokratike e ka ngritur si shqetësim madhor buxhetin e korrupsionit që ka sjellë qeveria në Parlament. Për këtë arsye deputetët e PD kanë hartuar 8 amendamente të cilat janë depozituar zyrtarisht në Parlament.
AMENDAMENTI I DEPUTETËS ERALDA TASE BANO, PËR BUXHETI E VITIT 2024
KUVENDI
AMENDAMENT
PËR DISA NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN “PËR BUXHETIN E VITIT 2024”
Në mbështetje të nenit 75, pika 4 të Regullores së Kuvendit të Shqipërisë, deputetja znj. Eralda Tase propozon,
Në projektligjin “Për Buxhetin e Vitit 2024”, të bëhet ndryshimi, si më poshtë vijon:
Neni 1
Në projektbuxhet tabela 1, arsimi i mesëm profesional (kodi 09240), vlera 3530 milion lekë bëhet 7060 milion lekë.
Neni 2
Ky ndryshim pasqyrohet në të gjitha nenet, tabelat dhe anekset shoqëruese të ligjit.
RELACION
PËR AMENDAMENTIN
Duke patur parasysh zhvillimet e tregut të punës, arsimi profesional po merr gjithmonë e më tepër vlerë. Qeveria nuk duhet t’i detyrojë nxënësit të shkojnë drejt arsimit profesional duke vendosur kriter mesataren por duhet të investojë në këtë fushë duke e bërë arsimin e mesëm profesional atraktiv për të rinjtë, aq më tepër kur tregu po kërkon gjithmonë e më shumë profesionistë nga zanate të ndryshme.
Ky amendament ka për synim që të 2-fishojë fondet që shkojnë për arsimin e mesëm profesional nga 3530 milion lekë në 7060 milion lekë.
Efekti financiar në Buxhetin e Shtetit do të përballohet nga ulja në të njëjtën masë e shpenzimeve operative të qeverisë, investimeve jo prioritare, kontratave koncesionare/PPP dhe shpenzime rikonstruksion zyrash dhe mobilim.