Edhe INSTAT i Ramës e pranon: Familjet shqiptare po varfërohen

Familjet shqiptare rritën më 2015 shpenzimet për konsumin e ushqimeve me 4,4 pikë përqindje në krahasim me 2014-n. Tendenca për të ulur shpenzimet e tjera dhe fokusi drejt ushqimeve është treguesi më i qartë se familjet shqiptare po varfërohen dhe shqetësimi kryesor i tyre është sigurimi i nevojave bazë të jetesës. Ky është një kthim mbrapa, teksa në dekadën e fundit, pesha e shpenzimeve për ushqime kishte ardhur veçse në ulje.
Instituti i Statistikës, në anketën e buxhetit të familjeve, njoftoi se shpenzimet për ushqime zënë të njëjtën peshë si në vitin 2009. Sipas anketës shihet se njësitë familjare kanë rrudhur shpenzimet për mobilimin e shtëpive, për veshje dhe për shërbime shëndetësore, për argëtim dhe arsim.
Vendet e varfra kudo në botë dallohen për fokusin e lartë të shpenzimeve në ushqime. Shqipëria e kishte këtë peshë në fillim të viteve 2000, 70%, por zhvillimet e vrullshme ekonomike në këtë periudhë i çuan shpenzimet për ushqime në ulje, duke u zhvendosur preferencat për shpenzime në shërbime dhe mallra të tjera. Në vendet e zhvilluara, shpenzimet për ushqime zënë më pak se 20% të totalit. Në Bashkimin Europian për shembull, pesha e ushqimeve dhe pijeve alkoolike përbën mesatarisht 15% të totalit, sipas Eurostat, ndërsa rreth 16% e shpenzimeve shkon për shtëpi (qira), ujë, energji gaz dhe karburante të tjera.
Në vitin 2007, pesha e shpenzimeve për ushqime ishte 47.6% e totalit. Por pas krizës së vitit 2008, kuota e shpenzimeve ushqimore arriti në 49.4%. Në vitin 2014, matjet e reja të INSTAT gjetën se shpenzimet për ushqime kishin nisur sërish rënien duke zënë 44.3% të totalit.
Por siç shihet nga zhvillimet e vitit 2015, shpenzimet për konsumin bazë, ushqimet, janë rritur ndjeshëm duke zënë 48.7% të peshës, nivel ky edhe më i lartë se i vitit 2007 dhe njësoj me vitin 2009.
Tendencat e konsumit të familjeve shqiptare më 2015 kanë treguar se janë ulur ndjeshëm shpenzimet për shërbimet arsimore dhe shëndetësore, dy shtyllat bazë për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit.
Rritja e shpenzimeve për ushqime automatikisht ka ulur shpenzimet për të gjitha grupet e tjera, përveçse shpenzimet për banesën, ujin dhe energjinë, të cilat janë rritur më 2015 për shkak të angazhimeve më të mëdha për pagesat e faturave të energjisë.
INSTAT prezantoi Anketën e Buxhetit të Familjes realizuar në 7,335 Njësi Ekonomike Familjare, e cila bën të mundur përshkrimin e shpenzimeve për konsum të tyre. Shpenzimet mesatare mujore të NJEF vlerësohen 70.766 lekë, ku peshën më të madhe e zë grupi i “ushqime dhe pije jo alkoolike”.
Grupi i dytë me peshë më të lartë në shpenzimet e njësive familjare është grupi i “shpenzimeve për banesë, ujë, energji elektrike dhe qira të paguar” me 10.3%.
Ndërsa peshën më të vogël të shpenzimeve e zë grupi “shpenzime për arsim” me 2.1%.
Sipas qarqeve, mbi mesataren e shpenzimeve mujore të vendit në total, janë Qarku i Tiranës (81.750 lekë), ndjekur nga Qarku i Lezhës (79.374 lekë), Gjirokastrës (74.933 lekë), Shkodrës (74.602 lekë) dhe Durrësit (74.602 lekë).
Qarku me shpenzimet më të ulëta mesatare mujore është Qarku i Vlorës me 51.198 lekë. Qarqe që janë nën mesataren e shpenzimeve mujore të vendit janë Fieri (69.125 lekë), Kukësi (68.989 lekë), Berati (65.840), Korça (64.417 lekë), Dibra (56.221) dhe Elbasani (55.671).

Artikulli paraprakRama bllokon ndërtimin e rrugëve
Artikulli tjetërManaj titullar ndaj Juventusit