Urë Fjalësh*
Unë besoj në fuqinë transformuese të Letërsisë për të ngritur shpirtin njerëzor në lartësinë dhe pastërtinë që meriton.
Bukuria artistike, posaçërisht ajo letrare, ka energji të jashtëzakonshme shëruese, shpirtërore dhe biologjike.
Njerëzit janë në kërkim të vazhdueshëm për të arritur lartësitë sublime, perfeksionizmin shpirtëror, sidomos.
Në përditshmërinë tonë, ku politika merr zakonisht kohën dhe energjitë më të mëdha, të flasësh për librat, është një lloj luksi që fatkeqësisht jo të gjithë ia mundësojnë vetes dhe të tjerëve.
Nuk ka gjë më të dobishme dhe më të bukur se përmes shpjegimit dhe interpretimit ta lartësosh qënien njerëzore, kompleksitetin e saj, magjinë e saj.
Shumë njerëz kanë gjetur shërim te Letërsia.
Në regjimet e mbyllura diktatoriale, Letërsia ka shërbyer si nga të paktat dritare prej të cilave njerëzit merrnin frymë, jetë, shpresë.
Megjithëse shkenca mbi letërsinë ofron një gamë të gjerë metodash interpretative, tek ky libër nuk do të gjeni të aplikuar veçmas asnjë prej tyre.
Sa më tepër lexojmë, aq më tepër e kuptojmë se teoria rrezikon ta zbehë bukurinë letrare, duke e shkëputur nga shpirti dhe thelbi njerëzor që fshihet brenda saj.
Të lexuarit e një vepre artistike mund të jetë shpëtimi ynë në momente dëshpërimi.
Ajo na lidh me të tjerët, na ndihmon të kuptojmë më mirë botën dhe të jetojmë në harmoni me veten dhe mjedisin.
Këto janë arsyet pse këto shkrime janë mbi vetë tekstet, dhe jo mbi teoritë.
Si filozofia dhe shkencat humane, Letërsia ofron gjithashtu një udhë të mendimit dhe të njohjes së botës psikike dhe shoqërore.
Kjo përmbledhje nuk pretendon të mbushë boshllëkun e kritikës së sotme letrare, as të debatojë rreth veprave dhe autorëve.
Ajo është një koleksion i shënimeve personale mbi autorë dhe vepra, vendas dhe të huaj, të hershëm dhe bashkëkohor.
Këto shënime janë interpretime dhe përvoja personale.
Zgjedhja e autorëve dhe veprave nuk është ngritur mbi ndonjë kriter të veçantë. Bazohet në lexime të ndodhura në periudha të ndryshme.
Synimi i vetëm që dëshiroj të arrihet, është një ndërmjetësim miqësor, një urë fjalësh, mes veprës dhe lexuesit, bazuar në ftesën e vazhdueshme për të lexuar Letërsi të vërtetë, si një nga mjetet më rezultative për progres njerëzor.
*Fjalë e mbajtur në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës gjatë përurimit të librit të autorit Namir Lapardhaja me titull “Një urë fjalësh mes nesh e tjetrit”, botim i UET PRESS.