Nga Ben Blushi
Imagjinoni sikur të kaloni ditën me një njeri që ju shoqëron në brendësinë e errët të një magazine antikuarësh dhe ju tregon me zë të ulët për kapricot e Faik Konicës, për dilemat e Ismail Qemalit, për huqet e Fan Nolit apo për kurthet e Esat Pashë Toptanit.
Pastaj duke ecur me hapin e një rinoceronti të shkathët ky njeri i afrohet një stende me qelqurina ku ka shumë fotografi, ka orë të ndryshkura, qostek argjendi, armë safiri, unaza floriri, gjyslyke, libra të mykur, pendë të vjetra, kallamrë, thika të gjakosura, flamuj të rreckosur apo sende të tjera të vogla që mund të kenë ndikuar në histori duke u përdorur nga pronarët e tyre të mëdhenj.
Kështu kalohet dita me Ilir Ikonomin, biografin modern të Shqipërisë.
Duke shkruar jetët e panjohura të Ismail Qemalit, Faik Konicës, Esat Toptanit dhe tani në fund edhe të Fan Nolit, Ilir Ikonomi ka sjellë disa histori fantastike. Unë mund ta imagjinoj se si ai endet me vite duke mbledhur copa statujash nëpër arkivat e botës dhe pastaj i shtron të gjitha në tavolinën e tij të punës dhe fillon ti bashkojë duke rindërtuar portretet e Burrave të Kombit.
Nëse do ishin gjallë, ata, do mbanin rradhë te shtëpia e Ilirit me shpresën se ai mund ta pastronte jetët e tyre nga dhjetëra cene, teka dhe vese që ata do donin ti fshinin, njëlloj sic bëjnë njerëzit e zakonshëm të cilët para se të kërkojnë një punë pastrojnë cv e tyre.
Por Ilir Ikonomi nuk është një pastrues jetësh të mëdha por shkruesi e jetëve të vogla të njerëzve të mëdhenj. Ai nuk fshin por zbulon. Ai gërrmon, studjon, bashkon dhe ndërton jetë. Përvecse një biograf ai është një zbulues dhe një historian. Ilir Ikonomi ka vullnetin e një dedektivi, këmbënguljen e një jeniceri dhe frymëzimin e një fëmije. Ai po na e tregon historinë, sic nuk e kemi njohur, për cka duhet t’i jemi shumë mirënjohës.