Eduard Zaloshnja: 2 milionë në emigracion! Edhe sa do të vazhdojë hemoragjia…?

Nga sondazhi i fundit periodik mujor që zhvillova për Report TV, rezulton se plot 62% e shqiptarëve nuk kanë vlerësim pozitiv për punën e qeverisë, ndërkohë që plot 80% nuk kanë vlerësim pozitiv për aktivitetin e opozitës. Këto shifra tregojnë se 3/5 e shqiptarëve janë të pakënaqur me qeverinë, por nga ana tjetër, vetëm 1/5 kanë shpresë tek opozita.

Pakënaqësia aktuale e ndërthurur me mungesën e shpresës përbëjnë një koktejl të fortë nxitës të dëshirës për emigrim – rreth 60% e shqiptarëve kanë dëshirë të emigrojnë, në qoftë se u krijohet mundësia (sipas disa sondazheve ndërkombëtare të kryera vitet e fundit në Shqipëri).

Nga një analizë që bëra në tetor për shqiptarja.com, rezultoi se rreth 2 milionë shtetas shqiptarë nuk banojnë aktualisht në Shqipëri (janë në emigracion permanent, e jo me qendrime disa-mujore jashtë vendit). Më 2011, kur u bë Censi i fundit, kjo shifër ishte rreth 1.5 milionë. Më 2001, kur u bë Censi i parafundit, ishte pothuaj 1 milion. Ndërsa më 1989, kur u bë Censi i fundit komunist, kjo shifër ishte e papërfillshme (sepse emigracionin e pengonin telat me gjemba atëherë).

Prej kurbës së emigracionit nga dekada në dekadë (shihni grafikun shoqërues), mund të konstatohet se ritmi i emigracionit është ngadalësuar në krahasim me dekadën e parë të eksodeve të mëdha, por mbetet përsëri shqetësues për zbrazjen e vendit nga popullsia shqiptare. Nëse emigracioni vazhdon me ritmin aktual, pas pesë vjetësh, do të kemi më shumë shtetas shqiptarë jashtë Shqipërisë se sa brenda saj (aktualisht janë 43.5% në emigracion).

Që kjo tkurrje e vazhdueshme e popullsisë autoktone të ndërpritet, ose të paktën të ngadalësohet, duhet që të ringjallet shresa tek qytetarët e thjeshtë të vendit (e jo vetëm të Tiranës, e cila përjeton vazhdimisht rritje popullsie). Opozita aktuale nuk jep shpresë. Qeveria Rama ka bërë të kënaqur ose gjysëm të kënaqur vetëm 38% të shqiptarëve.

Çfarë mbetet? Lindja e një force të re politike, të aftë për të energjizuar një masë të madhe të elektoratit të pakënaqur dhe të besueshme mjaftueshëm për të krijuar shpresë se gjërat do të shkojnë më mirë në të ardhmen, se sa aktualisht…
655b42c959412emigracion

Artikulli paraprakStudimi/ Shqipëria e fundit në Europë për kërkim shkencor
Artikulli tjetërPD distancohet nga dhuna dhe bojkoti/ Agalliu: Buxheti i qeverisë korruptiv, kemi dorëzuar amendamentet tona!