Ish-Kryeministri Berisha ka komentuar lirimin nga burgu të Vladimir Gjutës dhe Baftjar Brukës, të akuzuar si personat kryesorë të vendosjes së tritolit te farmacia e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në një postim në Facebook, Berisha thotë ndër të tjera se, arrestimi i tyre ishte një hakmarrje e Saimir Tahirit, pasi Gjutajt e kishin rrahur dikur bashkë me një shokun e tij. Berisha i bën thirrje prokurorit të Përgjithshëm të bëjë transparent qëndrimin e vartësve të tij ndaj kësaj çështje. “Të dashur miq, sot prokurorët e dosjes Gjuta, që deri tani kanë bërë lojën e Saje qorrit, pasi nën presionin e vetë Sajes dhe falsifikimit të provave, arrestuan 7 pjesëtarë të familjes Gjuta për vendosje tritoli tek farmacia dhe përballë shtëpisë të kontrabandistit Bashkim Tahiri, urdhëruan lirimin e më kryesorëve prej tyre, Vladimirit dhe Brukës! Duhet thënë se, që në fillim, tingëllonte qesharak pretendimi se në vendosjen e eksplozivit kishin marrë pjesë 7 vetë, pasi për një akt të tillë nuk mund të marrin pjesë, pa qenë idiotër, 7 pjesëmarrës”, shprehet Berisha.
Ish-Kryeministri Berisha shkruan më tej në reagimin e tij se, “pavarësisht se Bashkim Tahiri është një kontrabandist i çertifikuar i ilaçeve, kam dënuar dhe dënoj si akt terrorist vendosjen e çdo eksplozivi, në farmacinë e tij apo karshi banesës së tij”. “Personalisht nuk i njoh Gjutët dhe nuk di asgjë për veprimtarinë e tyre dhe nuk bëj aspak mbrojtjen e tyre sepse kanë avoketërit e vet, por të akuzosh 7 vetë nga një familje për këtë akt, ndërkohë që thuhet gjerësisht se Gjutët, që u arrestuan me mace dhe minj përveç gjyshes 90-vjeçare, kohë më parë e kishin zhdëpur në dru Saje qorrin, shtrirë përdhe së bashku me një mikun e tij, pasi ishte sjellë ndaj tyre si rrugaç. Ndaj dhe kur Saje u bë ministër do u kthente restin jo vetëm me çunat e krimit në polici, por dhe në Prokurori, gjë që është një shkelje shumë e rëndë e të drejtave të njeriut, një vepër kriminale”, shprehet Berisha.
“Pikërisht për këtë motiv, i kërkoj prokurorit të Përgjithshëm të bëjë transparent qëndrimin e vartësve të tij dhe t’i vendosë para ligjit për mashtrimin e tyre kriminal ndaj publikut shqiptar, në rast se vërtetohet, së bashku me Saje qorrin dhe çunat e tij të krimit, si dhe për arrestimin dhe mbajtjen në burg të Gjutëve me prova të porositura apo të falsifikuara me qëllim akuzën e tyre.
I bëj thirrje prokurorit të Përgjithshëm të nisë urgjent hetimin direkt për kontrabandistin Bashkim Tahiri, djalin e tij Saje qorri, për rolin e tyre në vendosjen e tritolit në farmacinë e Bashkimit dhe karshi shtëpisë së tij nëse janë të implikuar në këtë akt, me qëllim që të lajnë hesapet e tyre me Gjutët që kishin zhdëpur më parë Saje qorrin!”, përfundon Berisha.
Ngjarja ndodhi më 10 shkurt të vitit të kaluar, ku ju vendos një sasi eksplozivi farmacisë së babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Që prej asaj dite, policia ka bërë disa arrestime në Shqipëri dhe jashtë vendit, por të arrestuarit u liruan një nga një nga Gjykata për mungesë provash.
Tritoli në farmacinë e Tahirit, lirohen të gjithë të arrestuarit
Lirohen të gjithë të arrestuarit e akuzuar për vendosjen e tritolit tek farmacia e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Prokuroria për Krimet e Rënda ka pushuar çështjen edhe ndaj dy të akuzuarve të tjerë, Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka dhe ka urdhëruar lirimin e tyre nga burgu. Shkak është mungesa e provave për të akuzuarit që sipas akuzës nuk mundën të siguroheshin as shkencërisht. Gjithashtu, Prokuroria thotë se gjatë hetimeve nuk zbuloi motiv se përse këta shtetas mund të kryenin veprat penale për të cilat dyshoheshin.
“Gjatë zhvillimit të hetimeve janë kryer një sërë veprimesh proceduriale, përfshirë edhe ekspertiza të specializuara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, në përfundim të të cilave nuk u provua shkencërisht dhe nuk u siguruan fakte që të provonin përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se të arrestuarit ishin organizatorë dhe ekzekutorë të akteve të mësipërme. Krahas faktit që nuk janë arritur të grumbullohen të dhëna konkrete mbi veprimet e të hetuarve për kryerjen e veprave penale, Prokuroria për Krime të Rënda nuk zbuloi motiv se përse këta shtetas mund të kryenin veprat penale për të cilat dyshoheshin”, thuhet në referencën e Prokurorisë.
Por pavarësisht pushimit të hetimeve, Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka nuk kanë fituar lirinë pasi ndaj tyre vijon të jetë në fuqi masa e sigurimit “Arrest në burg” vendosur nga Gjykata e Kukësit, për vepra të tjera penale, si falsifikim dokumentesh dhe armëmbajtje pa leje, të cilat janë nën hetim nga Prokuroria e Kukësit.
Ngjarja ku u hodh në erë farmacia e babait të ministrit Tahiri ka ndodhur më 10 shkurt 2015. Ndërkohë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka refuzuar fletëthirrjet e Prokurorisë për Krime të Rënda. “ABCNews” ka mësuar se ministri Tahiri nuk i është përgjigjur dy ftesave të Prokurorisë për të dhënë shpjegime, me cilësinë e të dëmtuarit në dosjen ndaj të dyshuarve për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të tij.
Burimet thanë se ministri Tahiri, përveç mosparaqitjes, nuk ka kthyer edhe përgjigje për arsyen e refuzimit për të dhënë shpjegime. Ndërsa në një prononcim në media, në lidhje me autorësinë e vendosjes së tritolit, ministri Tahiri pati deklaruar se autorët janë në burg, duke iu referuar arrestimit të pjesëtarëve të familjes Gjuta.
Nga ana tjetër, babai i tij, Bashkim Tahiri është marrë në pyetje që pas ngjarjes, duke ngritur dyshime se tritolin ia kishin vendosur në farmaci për shkak të detyrës së djalit, si ministër i Brendshëm pasi ka mohuar në mënyrë kategorike se ai është i përfshirë në ndonjë konflikt që mund të ketë sjellë vendosjen e eksplozivit në biznesin e tij.
Ndërkohë Policia e Shtetit ishte angazhuar maksimalisht për zbardhjen e kësaj ngjarje, duke kryer edhe një sërë ekspertizash shkencore për të provuar autorësinë e tritolvënies. Ndërsa shefi i tyre, ministri i Brendshëm nuk pranon të japë dëshminë, për të sqaruar hetuesit se cili ka qenë konflikti apo arsyeja që të dyshuarit e arrestuar, pjesëtarë të familjes Gjuta, i kanë vendosur eksplozivin mëngjesin e datës 10 shkurt të vitit 2015 në farmacinë e babait të tij.
Burimet thonë se refuzimi i ministrit për të dhënë shpjegime dhe motivin e konfliktit të mundshëm me pjesëtarët e familjes Gjuta, ka zbehur edhe provat e pakta që hetuesit kanë siguruar për ngjarjen.
Në fillim të muajit shkurt u lirua Emirjon Gjuta, ndërsa një javë më pas edhe Lumjan Matmuja. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Ata janë lënë me detyrim paraqitje. Gjuta, Matmuja i liruar me kërkesë të Prokurorisë, ndërsa gjykata ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”. Por ditën e djeshme gjykata ka vendosur të heqë edhe këtë masë sigurie duke i lënë të lirë.
R.POLISI