Disa përcaktime ligjore në ligjin “Për regjistrimin e organizatave jofitmprurëse” që pengonin lirinë e organizimit dhe transferonin kompetencat e gjykatës tek kancelari lidhur me regjistrimin e tyre janë gjetur në papajtueshmëri nga Gjykata Kushtetuese dhe janë shfuqizuar pas kërkimit të parashtruar prej disa organizatave jofitimprurëse.
Gjykata Kushtetuese njoftoi të hënën më 20 nëntor vendimarrjen lidhur me kërkimin e disa organizatave jofitimprurëse për të shfuqizuar disa përcaktime të ligjit “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kërkuesit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, dega Tiranë; Këshilli Shqiptar i Medias; Aleanca kundër Diskriminimit LGBT dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetarinë Investigative, Shqipëri – BIRN Albania, kanë pretenduar në kërkim se përmbajtja e disa dispozitave në këtë ligj cënon të drejtën kushtetuese për t’u organizuar, që garantohet nga neni 46 i Kushtetutës dhe nenin 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; se janë në kundërshtim me parashikimet e nenit 17 të Kushtetutës dhe me standardet ndërkombëtare, që kërkojnë që kufizimi i kësaj të drejte, përfshirë sanksionet, të jetë i parashikuar nga ligji, të ketë një qëllim legjitim dhe të jetë proporcional me qëllimin që synohet të arrihet.
Gjykata Kushtetuese njofton se ka pranuar pjesërisht kërkesën, duke shfuqizuar parashikimin që përcakton detyrimin për regjistrim fillestar brenda një afati 30-ditor. “Gjykata arriti në përfundimin se ai jo vetëm që nuk buron si i tillë nga legjislacioni në fuqi, por, nga njëra anë sjell detyrime të tjera shtesë për këto subjekte dhe, nga ana tjetër, mosrespektimi i tij çon deri në konsiderimin e tij si shkelje, me pasojë dënimin administrativ me gjobë. Për rrjedhojë, ky parashikim vendos një barrë joproporcionale, veçanërisht për organizatat që synojnë të krijohen rishtazi, duke përbërë kështu një pengesë në drejtim të lirisë së organizimit”, vlerëson Gjykata Kushtetuese.
Në lidhje me ato dispozita që kanë parashikuar kompetencat e kancelarit, gjykata arrin në përfundimin se vijnë në kundërshtim me nenin 46 të Kushtetutës, që në mënyrë të shprehur ka parashikuar se regjistrimi i organizatave ose shoqatave bëhet në gjykatë, e cila është organi i vetëm kompetent në lidhje me çdo veprim që kryhet nga organizata ose shoqata, si në lidhje me fitimin e personalitetit juridik ose përfundimin e tij, ashtu edhe veprimet që lidhen me ushtrimin e kësaj veprimtarie.
“Për rrjedhojë, kancelari, megjithëse ushtron detyrën pranë gjykatës, nuk përfshihet në konceptin kushtetues të gjykatës për sa u përket çështjeve që lidhen me regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, argumenton Gjykata.
Të tjera parashikime ligjore që janë rrëzuar si në papajtueshmëri me Kushtetutën, janë edhe ato të pikave 2 deri në 6 të nenit 49 të ligjit të kontestuar. “Gjykata arriti në përfundimin se këto parashikime nuk plotësojnë standardet e kërkuara kushtetuese lidhur me qartësinë e normës juridike për sa i përket kuptimit dhe përllogaritjes së gjobave mbi të ardhurat vjetore të deklaruara të organizatave jofitimprurëse. Po kështu, edhe kufijtë minimalë dhe maksimalë për vendosjen e gjobave nuk plotësojnë standardet e kërkuara për proporcionalitetin e kufizimit, duke mos respektuar kështu kriteret kushtetuese të kufizimit të lirisë së organizimit”, citohet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila shprehet në vijim se pjesa tjetër e kërkimeve është rrëzuar pasi vlerëson se përmbajtja e tyre nuk cenon në thelb lirinë e organizimit dhe as nuk e bën të pamundur ushtrimin e saj./BIRN