”Dhuna dhe bojkoti e kanë çuar mbrapa PD-në”, Agalliu: Bllokimi i Parlamentit bëhet për interesa personale. Nuk luftohet korrupsioni me ish të korruptuar

Deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu deklaroi se kolegët e tij që bllokojnë punimet e Parlamentit nuk e bëjnë këtë për të protestuar ndaj shkeljes së të drejtave të opozitës, por për arsye të tjera.

“Unë dhe Partia Demokratike distancohemi nga aktet e dhunës dhe nga bojkoti. Historiku i PD-së ka treguar që dhuna dhe bojkoti e kanë çuar mbrapa këtë parti.

Interesant është fakti që në komisionet “online” morën pjesë ata deputetë që i bllokuan punimet e Parlamentit duke ndezur flakadanë.

Kjo tregon që ata individë kanë arsye të tjera për bllokimin e Parlamentit”, u shpreh Agalliu në studion e “Ditarit” në A2 CNN.

“Në 30 vite nuk kishte ndodhur që për buxhetin të flitej vetëm 5 minuta. Nuk e di pse na bllokojnë neve për të folur sepse në këtë aksion ata që kanë humbur kanë qenë deputetët e tjerë të opozitës dhe qytetarët, pasi mazhoranca, me tym apo pa tym, ka vazhduar rrugën e saj.

Bllokimi i Parlamentit me karrige bëhet për interesa personale. Pse po e bëjnë pikërisht tani që drejtësia po i thërret një e nga një, qoftë majtas e qoftë djathtas?”, shtoi më tej Agalliu.

Deputeti nënvizoi më tej se këtë opozitë shqiptarët nuk e duan.

“Nuk luftohet korrupsioni me ish të korruptuar. Këtë e them për këdo, majtas e djathtas. Me riorganizimin e partisë, që mbyllet në dhjetor, vijojmë me betejën tonë, në mënyrën tonë, pa dhunë e bojkot, por diskutime brenda institucioneve”, theksoi Arbi Agalliu.

Artikulli paraprakVendimi i Apelit për Malltezin/ Ironizon Lapardhaja: Nëse drejtësinë e ka kapur Edi Rama, na paska marrë peng Berishën me gjithë familje
Artikulli tjetërVOA/ Tirana, tensionet në parlament, ambasada SHBA “e shqetësuar”