Ish-kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton, tha se e gjitha që donte të bënte në pjesën më të madhe të javës së kaluar ishte të shëtiste qenin e saj, të lexonte një libër të mirë dhe të mos dilte më nga shtëpia.
Zonja Clinton bëri paraqitjen e saj të parë publike të mërkurën në mbrëmje në Uashington pas pranimit të fitores së republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale një javë më parë. Ajo u shfaq në një program të Fondit të Mbrojtjes së Fëmijëve, ku u nderuan pesë të rinj që tejkaluan tragjeditë, për t’u bërë studentë të shkëlqyer dhe janë në rrugë për karrierë të shquar profesionale.
Zonja Clinton tha se paraqitja në këtë ngjarje nuk ka qenë veprimi më i lehtë për të. Por ajo tha se pesë të rinjtë që po i nderonte fondi kurrë nuk hoqën dorë, as pas përballjes me dhunën, varfërinë dhe braktisjen.
Ajo e quajti këtë ngjarje si një natë shumë “prekëse” për të, duke vënë në dukje se kjo ishte ngjarja e parë në të cilën ajo dhe ish-presidenti Bill Clinton kishin marrë pjesë pasi ai fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 1992.
Presidentja e Fondit të Mbrojtjes së Fëmijëve, Marian Wright Edelman, e quajti ngjarjen e së mërkurës një akt dashamirësie për zonjën Clinton, për shkak të kontributeve të saj për fondin dhe përkushtimin e saj gjatë gjithë jetës për mirëqenien e fëmijëve.
Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve të javës së kaluar, Edelman theksoi se zonja Clinton fitoi votën popullore dhe e quajti atë “presidente të popullit”.