Nga Ermal Peçi
Prej kohësh Reforma në Drejtësi ose drejtësia e re siç është artikualuar në media ka qenë dhe është institucioni më i anatemuar nga sistemi politik arkaik shqiptar. Nga lufta politike dhe ajo e heshtur që bëhet larg syrit të opinionit publik të gjithëfuqishmit e politikës kanë kërkuar atë që e kishin prej kohës kukulla të cilët emëroheshin në krye të drejtësisë dhe këta bënin “pupet master”, ja lëshonin armiqve, mbronin vasalët dhe nënpunësit e tyre, por kurrë nuk kërkonin të vihej drejtësi.
Berisha, Meta dhe së fundi dhe Rama kanë zhvilluar luftë mediatike, por edhe simbolike për të pasur duart në SPAK, ishte këmbëngulja e ambasadores Kim, e cila nuk hezitoi për asnjë moment që në procesin që ata kishin nisur të zgjidhej Altin Dumani, njeriu i cili amerikanët e kishin zgjedhur për pastërtinë e tij si figurë, ndërgjegjen morale, por mbi të gjitha nuk ishte peng i askujt sepse kishte zhvilluar një luftë të pa kompromentuar kundrejt krimit dhe korrupsionit. Një profesionalizëm i shoqëruar me integritet moral është mekanizmi për t’i rikthyer shqiptarëve besimin tek drejtësia dhe shpresën që ky vend mund t’i forcojë institucionet e veta e mund të ofrojë drejtësi.
Drejtësi, kjo fjalë që lakohet nga mijëra shqiptarë dhe kërkohet çdo ditë në çdo sofër shqiptare, të cilën e kanë pasur të pamundur përballë një sistemi politik dhe ekonomik që kishte çelësat e çdo porte, e hapte pa leje dhe hynte si hajdut për të vjedhur. Një hallkë e dëshirueshme pafundësisht nga shqiptarët. Aksionet e fundit të SPAK thjesht po tregojnë që SHBA ka bërë zgjedhjen e duhur deri në këto momente, ku të paprekshmit po bëhen të prekshëm dhe tigrat po behen lepuj, vetëm që të gjejnë një mënyrë për t’u larguar dhe për t’i shpëtuar prangave që do bien mbi duart e gjata, të cilat kanë bërë vetëm zullume.
Arrestimet nga radhët e Partisë Socialiste dhe hetimet për Berishën, Metën dhe rrethin e tyre të ngushtë po tregojnë që SPAK e ka marrë seriozisht luftimin e korrupsionit në instanca të larta ku drejtësia as nuk mendonte se do arrinte ndonjëherë e jo më të guxonte.
Një panoramë që ka tronditur çdo qytetar, i cili ngrihet në mëngjes dhe sakrifikon për jetën e tij, për një familje më të mirë, që të prodhojë një shoqëri më të mirë. Shoqëri, e cila sakrifikonte dhe politikën e vjetër, e cila sundon me koncepte feudale dhe bajraktarizmi. Ishte mosrakordanca e kohezionit social në vendin tonë. Një shoqëri që ecte më shpejt se politika, prandaj sot të dashur qytetarë kush sulmon SPAK nuk e do Shqipërinë. Nuk do që ky vend të ketë drejtësi. Prandaj kush sulmon sot SPAK ka frikë nga e vërteta që do të dalë në dritë për patriotët dhe njerëzit që e kanë dashur apo jo këtë tokë të bekuar sepse SPAK sot po tregon kush nuk e ka dashur Shqipërinë.