Ministri i Jashtëm i Shqipërisë deklaron se është i shokuar nga zgjedhjet në SHBA dhe fushata e zhvilluar atje. Ditmir Bushati nuk ka shprehur asnjë urim për Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Ai mungoi në pritjen e ambasadës amerikane një ditë pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve, duke iu bashkuar kështu mungesës së shefit të tij në Kryeministri.
Qeveria Rama në të vërtetë po vazhdon me kokëfortësi të mos pranojë de fakto rezultatin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara.
I pyetur se si do të ndikojnë deklaratat e Ramës ndaj Trump ai është shprehur me fjalët se, Europa është e shokuar nga fushata në Shtetet e Bashkuara dhe se ajo ishte e paprecdent.
Gazetarja: Zoti Ministër, duket se një temë e nxehtë e debatit kanë qenë zgjedhjet amerikane. Sa do të ndikojnë deklaratat përpara zgjedhjeve të zotit Rama në marrëdhëniet me administratën e re të zotit Trump?
Ditmir Bushati: Besoj se kjo është një çështje krejt e qartë së cilës Kryeministri Rama i është përgjigjur. Ne kemi parë një fushatë thuajse të paprecedentë në SHBA, që me të drejtë ka shokuar apo ka sjellë në vëmendje të opinionit publik kryesisht në Europë, por edhe në vende të tjera që kanë një partneritet tradicional me SHBA, për shkak të temave të nxehta dhe të paeksploruara deri më sot me të cilën janë trajtuar këto tema. E kemi fjalën kryesisht për çështjet e sigurisë, raportet e SHBA dhe familjes europiane, çështje që kanë të bëjnë me partneritetin ekonomik dhe tregtar, me raportet e reja që pritet të jenë me Rusinë dhe aktorë të tjerë globalë, çështje që kanë të bëjnë me ekstremizmin e dhunshëm, fetë, emigracionin. Pra, kanë qenë disa tema jashtëzakonisht të nxehta, të cilat kanë rrokur mendjen dhe zemrat e shumë njerëzve, politikanëve apo liderëve europianë, për të komentuar rreth platformave të dy kandidatëve në zgjedhjet presidenciale në Amerikë. Por do të duhet të presim administratën e re me qetësi dhe ajo çka unë do të dëshiroja të siguroja opinionin publik shqiptar përmes RTSH është që për Shqipërinë SHBA mbetet një partner i pazëvendësueshëm jo vetëm thjesht në planin bilateral, por edhe në këtë kënd të Europës adriatike dhe për ne është mjaft e rëndësishme që SHBA të vijojnë të luajnë atë rol stabilizues dhe të jenë sponsorit kryesorë të stabilizimit dhe integrimit euroatlantik të rajonit tonë.
Deklaratat e ministrave të Jashtëm konsiderohen mjaft të rëndësishme në periudhën e tranzicionit të pushteteve në Shtetet e Bashkuara. Gjuha diplomatike shkon zakonisht drejt amortizimit të deklaratave politike të forta që mund të kenë bërë shefat e qeverisë, ndërsa në Shqipëri ndodh e kundërta. Ministri i Jashtëm nuk gjen kohë për asnjë vlerësim të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka asnjë urim për fituesin e zgjedhjeve. Për më keq akoma Bushati nuk i konsideron Shtetet e Bashkuara si partnerin kryesor të vendit, por mjaftohet me termin një “parner i pazëvendësueshëm”. Natyrisht që çdo partner është i pazëvendësueshëm në peshën dhe rolin që ka, por e reja në këtë deklaratë të Bushatit është se qeveria e Ramës nuk i konsideron Shtetet e Bashkuara si partnerin kryesor të Shqipërisë.
Është e qartë krisja mes Ramës dhe Trump për shkak të deklaratave të tij që mund t’i bëjë vetëm një kamikaz politik që keqpërdoret për llogaritë politike të Trump, por ajo që është e palejueshme është fakti se Rama në rrugën drejt gremisjes nga pushteti nuk mund të marrë me vete marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Është e vërtetë se Rama kishte paralajmëruar se fitorja e Trump do të ndikonte në marrëdhëniet mes dy vendeve, por kjo deklaratë në fakt duhet kuptuar ndryshe. Rama është shumë i vogël që për qëllim të llogarive të tij politike të mund të ndikojë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Ajo që është e vërtetë në këtë rast është fakti se fitorja e Trump i shkurton atij ditët në krye të qeverisë.
Bushati si një pinjoll i regjimit diktatorial, i biri i sekretarit të parë Sul Bushati nuk mund të jetë një dashamirës i politikave republikane që më ‘90 rrëzuan regjimin e të atit të tij.
Arben Shahini