Korporata Elektroenergjetike Shqiptare shënoi një fitim neto prej 797 milionë lekësh gjatë periudhës 9-mujore, me një rënie vjetore prej 7%. Rënia e fitimeve lidhet me uljen e të ardhurave nga shitja e energjisë elektrike.
Sipas të dhënave zyrtare të kompanisë, të ardhurat e periudhës ishin 13.3 miliardë lekë me një ulje 31% krahasuar me 9-mujorin e 2015-s.
Nga këto të ardhura, KESH shpenzoi 8.1 miliardë lekë për blerjen e energjisë dhe mbi 1 miliard lekë për shpenzimet e personelit. Gjithashtu zhvlerësimi i aseteve të kompanisë shënoi një vlerë negative prej 2.1 miliardë lekësh.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) është prodhuesi publik dhe në të njëjtën kohë, prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në Shqipëri. KESH ka nën administrim impiantet kryesore të prodhimit të energjisë elektrike në vend. Këto asete përbëhen nga hidrocentralet e Kaskadës së Drinit, (HEC Fierzë, HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës) me një fuqi të instaluar prej 1,350 MW, dhe TEC Vlora me fuqi të instaluar prej 98 MW.
Kaskada e ndërtuar mbi pellgun e lumit të Drinit është më e madhja në Ballkan, si për nga kapaciteti i instaluar ashtu edhe nga madhësia e veprave hidroteknike. Duke pasur në funksionim 79% të kapaciteteve prodhuese në vend, KESH furnizon rreth 70-75% të kërkesës për energji elektrike të klientëve tariforë, siguron energjinë e nevojshme për mbulimin e humbjeve në sistemin e transmetimit, si dhe nëpërmjet energjisë balancuese e shërbimeve ndihmëse garanton sigurinë e sistemit energjetik shqiptar. Gjithashtu, KESH ka përgjegjësinë për administrimin, operimin korrekt dhe garantimin e sigurisë teknike e operacionale të veprave energjetike që administron. KESH, jo vetëm është një nga prodhuesit e energjisë elektrike nga burimet hidrike më të rëndësishëm në rajon, por konsiderohet edhe një faktor me ndikim rajonal për sa i përket sigurisë së veprave hidrike.