Frutat i bëjnë shumë mirë organizmit dhe shëndetit.
Kjo vështirë të mohohet apo kundërshtohet. Frutat përmbajnë shumë minerale, vitamina, antioksidantë dhe fibër.
Kjo pasuri vlerash është arsyeja përse shkencëtarët insistojnë se rritja e konsumit të frutave dhe perimeve mund të përgjysmojë rrezikun e vdekjes së parakohshme nga sëmundjet kronike.
Ndaj ju duhet të hani shumë fruta, ama nëse po përpiqeni të humbni në peshë, ngrënia e panumërt e frutave do të ketë një efekt negativ.
E vërteta është se frutat përmbajnë kalori dhe sheqerna natyralë, ndaj nuk duhet të konsumoni më shumë se dy racione në ditë.
Frutat mund t’i konsumoni në vend të ëmbëlsirave ose për të shuar nepsin për sheqer, thonë ekspertët.
Sipas tyre, njerëzit nuk duhet të kenë frikë nga frutat, por thjesht të përkujdesen për racionet.
Frutat si avokado, arra e kokosit, frutat e thata dhe lëngjet e frutave kanë kalori.
Frutat e pyllit përmbajnë shumë pak kalori dhe fibër duke ju mbajtur të ngopur për shumë kohë.
Më poshtë do të gjeni nga AgroWeb.org listën e plotë të frutave që shoqërohen me shumë kalori, pavarësisht vlerave ushqimore.
Avokado
Një avokado e vetme përmban 322 kalori.
Megjithatë ky frut është shumë i mirë për zemrën sepse përmban yndyrna mono-të-pangopura.
Një avokado përmban 30 gramë nga këto yndyrna.
Rrjedhimisht ju këshillojmë të hani gjysëm avokadoje në ditë.
Përpos yndyrnave, avokado përmban edhe fibër që është shumë e mirë për tretjen.
Fiqtë
Pesë fiq të vegjël përmbajnë 150 kalori
Fiqtë janë shumë të ëmbël dhe një kokërr përmban 7 gram sheqer.
Megjithatë, bashkë me sheqerin përfitoni vitaminën K dhe manganin.
Hurmat e Arabisë
100 gramë me hurma Arabie përmbajnë 277 kalori.
30 gramë hurma ofrojnë 25 gramë sheqerna natyralë.
Megjithatë mos u shqetësoni sepse hurmat e Arabisë janë një burim shumë i mirë fibre.
Arra e kokosit
Një filxhan me grimca të arrës së kokosit përmban 466 kalori.
Ky frut tropikal përmban yndyrna të mira që ju ngopin.
Rrushi i thatë
Një filxhan me rrush të thatë përmban 429 kalori.
Këto fruta janë në vetvete një burim i përqendruar sheqeri.
Një filxhan me rrush të freskët përmban 62 kalori, ndaj zgjidhja është e juaja.
Bananja
Një banane e madhe përmban 121 kalori.
Bananet ofrojnë shumë ushqyes të mirë e të dobishëm për zemrën siç është kaliumi dhe vitamina C.
Ndaj ju këshillojmë që të konsumoni banane të vogla për më pak kalori.
Kumbullat e thata
Një filxhan me kumbulla të thata përmban 418 kalori.
Kumbullat e thata ashtu si edhe rrushtë e thatë përmbajnë sasi të larta sheqeri dhe kalorish në krahasim me kumbullat dhe rrushtë e freskët.
Megjithatë, ato përmbajnë shumë fibër që përmirëson përpjekjet tuaja për të humbur në peshë./AgroWeb.org