Gjergji PAPA
Projektligji “Kodi hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”, nuk shërben për asgjë tjetër veçse për përafrimin e legjislacionit kombëtar të transportit hekurudhor në Shqipëri me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Nuk shërben për asgjë tjetër, sepse transporti hekurudhor në Shqipëri është katandisur në një gjendje të mjerueshme.
Të thuash që ky projektligj do të nxitë zhvillimin e një transporti hekurudhor efikas, të sigurt, të aksesueshëm nga të gjithë dhe miqësor me mjedisin është anakronike, sepse hekurudhat janë jashtë përdorimit dhe transporti hekurudhor nuk funksionon.
Në një kohë kur, kjo qeveri, në 4 vjet qeverisje, nuk bëri asgjë për këtë sektor, është fare pa kuptim të thotë se ky projektligj synon përmirësimin e efikasitetit të sistemit hekurudhor dhe integrimin e tij në tregun rajonal dhe transevropian të shërbimeve të transportit.
Me bindje të plotë them se ky projektligj nuk do të ndikojë fare në zhvillimin real të këtij sektori.
Por kjo qeveri dhe Kryeministri Rama nuk e ka për gjë t’i hedhë hi syve këtij populli. Ajo po zëvendëson gënjeshtrat e vjetra me gënjeshtra të reja.
Qeveria rrit nga viti në vit shpenzimet operative, dëshmi mjaft e qartë kjo e filozofisë së saj, për të rritur shpenzimet e luksit dhe jo shpenzimet për investime publike, të cilat sjellin edhe rritje ekonomike.
92 milionë dollarë të shqiptarëve janë shpenzuar vetëm për zyra, makina, orendi dhe bileta avionësh.
Por nuk ka fonde për investime publike në rrjetin hekurudhor sepse 2.2 miliardë euro u janë vjedhur taksapaguesve shqiptarë, nga mosrealizimi i të ardhurave dhe nga shkelje të disiplinës financiare.
Nuk ka fonde për investime publike sepse 88 milionë dollarë u janë dhënë nëpër tendera 11 miqve, ndërtuesve dhe bashkëpunëtorëve të Edi Ramës.
Qeveria e ka ngritur korrupsionin në sistem. Këtë e vërteton edhe raporti për korrupsionin, i publikuar këto ditë nga “Transparency International”, ku shkalla e mitmarrjes në Shqipëri, për vitin 2016, rezulton me 34%, më e larta, jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën.
Dhe shembulli më i mirë i ngritjes të korrupsionit në sistem nga kjo qeveri, janë koncesionet.
Rilindja ka hedhur në treg një lloj të ri grabitjeje, atë përmes koncesioneve, një fushë e pamatë për abuzim.
Por për ta hequr shijen e hidhur te abuzimit, që po u lë qytetarëve shqiptarë fjala koncesion, Rilindja po përpiqet për ta zëvendësuar fjalën koncesion, me togfjalëshin partneritet publik privat.
Janë dhënë rreth 765 milionë euro koncesione dhe planifikohen të jepen të tjera koncesione në shëndetësi, transporte, dogana, tatime, në rrugë dhe në shërbime të tjera publike, për miqtë dhe klientët e Kryeministrit dhe qeveritarëve, duke e dorëzuar shtetin tek një oligarki e dyshimtë dhe duke e rënduar disa herë xhepin e qytetarëve shqiptarë, të cilët paguajnë edhe administratën publike nga njëra anë, që nuk është ulur aspak në numër, edhe privatët nga ana tjetër, për të njëjtin shërbim.
Mesa duket, mazhorancës po i bëhen presione nga grupet oligarke brenda saj, për të marrë koncesione për t’u shpërblyer për kontributin që kanë dhënë, që kjo mazhorancë të vijë në pushtet dhe të kontribuojnë financiarisht edhe në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Qeveria po gjen rrugën më të lehtë për të hequr nga vetja ato shërbime, që ajo i ka për detyrë t’ua garantojë qytetarëve të saj.
Kur ishte në opozitë, PS deklaronte se do të rishikonte, madje edhe do t’i anulonte marrëveshjet koncesionare të qeverisë Berisha.
Por sot, pas rreth 4 vjet qeverisje, numri i koncesioneve po rritet frikshëm.
Kjo dëshmon jo vetëm paaftësinë e atyre që qeverisin, por edhe faktin që koncesionet janë kthyer në një parajsë financiare për një grusht klientësh të qeverisë, të cilët grabisin me leje, pasurinë e shqiptarëve.
Këto 765 milionë euro koncesione, të kaluara në xhepat e privatëve, klientë të Kryeministrit, do ta kishin përmirësuar sadopak jetën e qytetarëve shqiptarë, sikur të kishin kaluar për investime publike, për të rritur punësimin dhe të ardhurat e tyre.
Rekordin e koncesioneve e mban ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, me 300 milionë euro koncesione të dhëna, për check up-in, për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe për hemodializën.
Koncesioni i check up-it, ose i thënë shqip, koncesioni i kontrollit mjekësor falas, vazhdon të mbetet koncesioni më abuziv.
Kontrata e firmosur me koncesionarin është abuzive, pasi është përcaktuar një dysheme prej 475 mijë qytetarësh për të cilët koncesionari paguhet, pavarësisht nëse qytetarët i bëjnë apo jo analizat.
Shifra e vendosur në kontratë (475 mijë) është abuzimi real. Nuk është e bazuar në asnjë studim apo analizë shkencore.
Duke pranuar që në një vit e gjysmë nuk janë bërë 475 mijë analiza të check-up, por paratë janë dhënë për aq, Rama ka pranuar vjedhjen e 5 milionë euro më shumë në vit.
Ku kanë shkuar këto para? A do t’u kthehen shqiptarëve apo tashmë janë ndarë si plaçkë mes Ramës dhe donatores së tij?
Dhe sikur të mos i mjaftonin megaskandalet e korrupsionit me tenderat dhe koncesionet, dje, Ilir Beqaj u akuzua edhe për shpërdorim detyre. Ai pushon menjëherë nga puna drejtorin e tij, vetëm se nuk mori pjesë në një mbledhje të PS.
Shikoni se çfarë terror psikologjik dhe presion ka administrata publike nga Rilindja dhe sa lehtë, ata mund të pushohen nga puna, nëse nuk aktivizohen në aktivitetet politike të PS.
Ai duhet të japë menjëherë dorëheqjen dhe të largohet sa më parë nga detyra e ministrit.
Nga ana tjetër, Kryeministri Rama duhet ta shkarkojë nga detyra, në rast të kundërt vërtetohet që është ai dirigjuesi i të gjitha këtyre skandaleve.
Kryeministri thotë që ne shpifim dhe hedhim baltë.
Por le t’i referohemi FMN.
FMN i ka vlerësuar koncesionet si një nga rreziqet më të mëdha fiskale, duke pohuar se ato tashmë zënë 7% të PBB dhe të tjera janë përfshirë në proces.
Në një raport të posaçëm për transparencën fiskale, FMN thekson se qeveria shqiptare nuk është transparente në dhënien e koncesioneve, pasi nuk bën publike kostot dhe përfitimet nga koncesionet.
Vendi ynë ka një historik të dështuar të dhënies të disa shërbimeve me koncesion, të cilat nuk kanë sjellë gjë tjetër veçse kosto të shtuara për biznesin dhe qytetarët, si rasti i “Crown Agents” me doganat.
Kompania koncesionare u pagua me 8.2 milionë euro, për të mbledhur 100 milionë euro më shumë në dogana. Tashmë të gjithë e dinë dështimin e bujshëm të këtij objektivi.
Prandaj kalimi i të gjitha shërbimeve tek privati, jo vetëm nuk është i dobishëm, por e dëmton ekonominë.
Për arsyet që përmenda më lart nuk ka fonde për investime publike.
Nuk ka fonde jo vetëm për të ndërtuar hekurudha të reja dhe rrugë të reja, por as për të siguruar një qarkullim normal në rrugët ekzistuese.
Rruga kombëtare Librazhd-Elbasan, prej një viti është dëmtuar në Xibrakë, nga prurjet e lumit Shkumbin. Duke qenë aktualisht me një kalim, deri tani, atje janë bërë mbi 50 aksidente dhe askush nuk po kujtohet të verë dorë për riparimin e saj.
Rruga kombëtare Qafë Thanë-Lin-Pogradec, nuk po thotë më kush, të përfundojë, por të paktën të bëhet e kalueshme për automjetet në hyrje të qytetit të Pogradecit.
Punimet janë braktisur fare nga kontraktori dhe rruga është në gjendje të mjerueshme. Por askush nuk pyet që u shkatërruan të gjitha autoveturat dhe kamionët e shumtë që kalojnë në drejtim të Korçës dhe Greqisë.
Rruga Korçë-Ersekë, e filluar që në vitin 2011. Vetëm 40 milionë lekë janë planifikuar në projektbuxhetin e vitit 2017.
Me kaq pak fonde, kjo rrugë nuk ka për të përfunduar kurrë. Dhe gjithë qeveria ka zbarkuar në Kolonjë, për zgjedhjet e parakohshme lokale dhe vazhdon të mashtrojë kolonjarët, duke ju premtuar atyre parajsën.
Ju kërkojnë votën kolonjarëve, ndërkohë kur në 25 vite qeverisje lokale socialiste, e kanë lënë qytetin e Ersekës, i pasur me burime ujore, vetëm me dy orë ujë të pijshëm në ditë.
Dhe tallen me qytetarët kolonjarë, kur ju thonë: “Na jepni votën, se nuk vijmë më, nëse nuk bëhet ujësjellësi”.
Kandidati i të djathtës nuk po garon me rivalin e tij të majtë, por me të gjithë qeverinë. Pothuajse të gjithë ministrat socialistë dhe të gjithë drejtorët rajonalë, kanë zbarkuar në Kolonjë dhe në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor, mbledhin punonjësit e administratës së tyre, në prezencë të kandidatit socialist, duke ju bërë presion të hapur për të votuar për të.
Sa turp.
Por sikur të mos mjaftonte kjo, gjithë Bashkia e Korçës, ka lënë punën dhe është nisur drejt Kolonjës në ndihmë të kandidatit socialist.
Çdo funksionar rilindas, nga Korça, me origjinë nga Kolonja ose me lidhje familjare ose shoqërore prej andej, me urdhër, sipas një plani dhe grafiku të detajuar, nga qeveritarët kombëtarë dhe lokalë, ka shkuar në Kolonjë këto ditë, nga “malli” për të takuar miqtë dhe të afërmit, që ata të votojnë me çdo kusht për kandidatin socialist.
Ja pra pse PD kërkon një qeveri teknike, sepse me Edi Ramën dhe qeverinë e tij as që mund të priten zgjedhje të lira dhe të ndershme, vitin e ardhshëm.