Narkotrafikanti flet nga arratia: Për t’i dhënë fund trafikut të drogës, duhet t’i jepet fund policisë e politikanëve të korruptuar

“Për t’i dhënë fund trafikut të drogës, së pari duhet t’i japim fund policisë dhe politikanëve të korruptuar, dhe ka shumë prej tyre”. Kështu është shprehur bosi uruguaian i drogës Sebastian Marset në një intervistë të dhënë nga arratia për gazetaren Patricia Martín, të programit televiziv Santo y Seña në Uruguai.

“Ka vende ku trafiku i drogës është buka e përditshme”, theksoi Marset.

Me videot e tij të publikuara në rrjetet sociale teksa ishte në arrati, bosi uruguaian ka vënë në siklet policinë dhe qeveritë e vendeve të ndryshme. Në korrik ai i mezi i shpëtoi kapjes në Bolivi falë një informacioni nga vetë policia. Dhe muajin e kaluar ministrat e brendshëm dhe të jashtëm të Uruguait duhej të jepnin dorëheqjen për çështjen e një pasaporte ligjore që do ta lejonte atë të largohej nga Dubai në vitin 2021, pasi u ndalua për posedim të dokumenteve false.

Në moshën 32-vjeçare, Marset konsiderohet tashmë “mbreti i rrugës ujore”, kanali i lundrueshëm që përshkon Paraguajin, Uruguain dhe Argjentinën, përgjatë të cilit udhëtojnë tonelata kokainë të fshehura në kontejnerë me drithëra dhe sojë të destinuara për në Evropë. Për të dallohen fletë-arrestet e ndryshme ndërkombëtare për trafik droge, pastrim parash dhe për vrasjen e prokurorit paraguaian Marcelo Pecci.

Por ai e mohon këtë akuzë të fundit: “Unë nuk kam asnjë lidhje me vdekjen e Pecci-t”, i tha ai gazetares Patricia Martín që e intervistoi atë në një vend sekret, me sa duket në Paraguaj.

“Ata bënë një gabim të madh me këtë akuzë, prandaj vendosa të flas”, shtoi ai.

Artikulli paraprakNga ChatGPT tek dua punë, çfarë kërkuan shqiptarët në Google këtë vit
Artikulli tjetërShaip Kamberi: Nëse valëvit flamurin shqiptar në Preshevë, përballesh me pasoja