Frank Riberi nuk i trembet Borussia Dortmundit. Sulmuesi anësor i Bayernit të Mynihut shpesh i kritikuar për një temperament disi të vështirë në fushën e blertë, është shprehur optimist përpara sfidës ndaj verdhezinjve të Thomas Tuchel. Sipas Riberi ndeshjet kundër Dortumundit janë gjithmonë emocionuese, por pavarësisht këtij fakti ai do të dijë të tregohet i vetëpërmbajtur.
“Të përballesh me Borussia Dortmund është gjithmonë bukur. Është nga ato sfida ku përqendrimi duhet të jetë maksimal, pasi gabimi më i vogël mund të na penalizojë. Në aspektin personal shpesh jam vënë në qendër të vëmendjes si një futbollist me temperament disi të ashpër, e pranoj që duhet të tregohem disi më i kujdesshëm, nga ana tjetër jam i sigurt që në takimin kundër ekipit të Thomas Tuchel, Bayerni nuk do të ketë probleme”, u shpreh Riberi.
Më tej Riberi u shpreh se për Bayernin kjo ndeshje është si një derbi dhe presioni është i lartë. Pavarësisht kësaj francezi është besimplotë që kampionët e Gjermanisë do të dalin me tre pikë nga “Signal Iduna Park”. “Është e vërtetë që në disa takime ne kemi pësuar gola, por kjo nuk na shqetëson aspak. Ekipi gëzon një formë të mirë fizike dhe jam i sigurt që do të dalim triumfues”, tha ai. Ndërkohë që Frank Riberi ka pranuar ofertën e drejtuesve të klubit gjerman për të rinovuar kontratën. Nga marrëveshja e re, sulmuesi do të jetë pjesë e bavarezëve deri në vitin 2018.
Në “Signal Iduna Park”, Borussia e Dortmundit pret Bayern Mynih në një duel që gjithmonë ka prodhuar spektakël dhe emocione të shumta. Dortmundi aktualisht numëron 6 pikë më pak se bavarezët e Carlo Ancelottit në tabelën e klasifikimit, por në një sfidë të tillë nuk ka favoritë dhe diçka të tillë e lanë të kuptohet në intervistat e tyre, mbrojtësi brazilian i Bayern-it, Rafinha, por edhe kapiteni Philip Lahm, i cili vlerësoi maksimalisht Dortmundin. Nëse skuadra e Thomas Tuchel vjen në këtë sfidë pas fitores bindëse me shifrat 5-2 ndaj Hamburgut në transfertë, Bayerni shkon në Westfali pas barazimit zhgënjyes ndaj Hoffenheim-it në shtëpi, hap fals ky që i lejoi debutuesve të Leipzigut t’i bashkoheshin ekipit të Ancelottit në kuotën e 24 pikëve në krye të Bundesligës.
Megjithatë problemet janë të shumta për Bayernin në vigjilje të klasikes së futbollit gjerman. Përveç Jerome Boateng trajneri Carlo Ancelotti për arsye dëmtimi nuk mund të ketë në dispozicion tre lojtarë të tjerë me peshë për këtë sfidë. Kështu Arjen Robben, Arturo Vidal dhe Javi Martinez janë në dyshim të madh për duelin e kësaj të shtune. Të tre futbollistët nuk u stërvitën me grupin këtë të enjte dhe me shumë gjasa do të mungojnë ndaj Borussias së Dortmundit. Robben dhe Martinez kanë probleme fizike, ndërsa Vidal u largua i dëmtuar nga sfida mes Kilit dhe Uruguay-it. Drejtuesit e Bayern-it i kishin kërkuar Federatës kiliane të Futbollit të mos e aktivizonte lojtarin në atë sfidë pasi Vidal kishte probleme, por këta të fundit nuk pranuan dhe tashmë pasojat duhet t’i vuajë Bayerni.