Nga Armela Duka
Sipas të dhënave të publikuara nga ‘Agjencia Europiane e Statistikave’ për shpenzimet e kujdesit shëndetësor për vitin 2021, Shqipëria renditet e fundit mes vendeve të Europës pasi vetëm 3.1% e PBB-së në vendin tonë kanalizohet për këtë kategori. Ndërkohë, mesatarja e BE-së për shpenzimet e kujdesit shëndetësor fiksohet në 8.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Scan Intel” ka analizuar të dhënat e vëna në dispozicion nga EUROSTAT, për të kuptuar ecurinë e shpenzimeve për kujdesin shëndetësor edhe në vendet Europiane. Vlerësimet e këtij treguesi për vitin 2021 përfshijnë 24 vende të BE-së, ku në vendin e parë renditet Franca me 10.3% të PBB-së të shpenzuar për kujdes shëndetësor, ndërsa na vend të dytë ndjek Gjermania dhe Holanda të cilat paraqiten me vlerë të njëjtë të këtyre shpenzimeve, përkatësisht me 10% të PBB-së. Gjithashtu, mbi mesataren e BE-së paraqiten edhe vendet si Islanda, Austria, Zvicra dhe Sllovenia. Shpenzimet e kujdesit shëndetësor në këto shtete variojnë nga 8.5% në 9.6% të PBB-së. Në ekstremin tjetër, pra me vlerën më të ulët paraqiten Shqipëria dhe Turqia të cilat shpenzojnë përkatësisht 3.1% dhe 3.3% të PBB-së për kujdesin shëndetësor.
Por si ka ndryshuar kurba e këtyre shpenzimeve përgjatë periudhës 2021-2022? Shifrat tregojnë se shpenzimet për kujdesin shëndetësor kanë pësuar rënie pothuajse në të gjitha vendet e BE-së. Rënia më e madhe e këtyre shpenzimeve u regjistrua në Bullgari me -1,1 pp, e ndjekur nga Hungaria me -0,9 pp dhe Lituania e Irlanda me -0,8 pp.
Edhe në vendin tonë për vitin 2022 shpenzimet publike në shëndetësi shprehur si përqindje ndaj PBB-së kanë shënuar rënie me 0,44 pp, ndërsa shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rënie me 0,90 pikë përqindje krahasuar me vitin 2021. Sipas INSTAT, në vlerë absolute shpenzimet publike në këtë sektor për vitin që lamë pas janë 63.8 mln lekë. Vendet e vetme të BE-së që raportuan një rritje ishin Luksemburgu dhe Sllovenia. Ndërkohë, Qipro i mbajti shpenzimet të pandryshuara nga viti 2021.
Në një analizë më të ngushtë, atë të vendeve të rajonit, Shqipëria renditet sërish e fundit. Në Bosnje Hercegovinë 6.8% e PBB-së shkon për këtë kategori shpenzimesh duke e renditur atë të parën mes shteteve të rajonit, ndërsa në Malin e Zi dhe Serbi këto shpenzime vlerësohen të jenë më të ulëta duke zënë 6.7% dhe 6% të PBB-së vendit respektiv./Scan TV