Mbretëria e Bashkuar ka zbuluar rastin e parë njerëzor të H1N2, një lloj gripi i derrit i ngjashëm me viruset që qarkullojnë te derrat. Kjo u njoftua nga Agjencia Britanike e Sigurisë Shëndetësore (UKHSA), duke specifikuar se është “një rast i vetëm i konfirmuar njerëzor i influencës A(H1N2)v, i cili është i pari i këtij lloji të gripit të zbuluar, në një njeri në Mbretërinë e Bashkuar”.
Infeksioni u identifikua gjatë një kontrolli rutinë mbarëkombëtar të kryer nga autoritetet shëndetësore. Që nga viti 2005, pesëdhjetë raste njerëzore të infeksionit H1N2 janë raportuar në mbarë botën, por virusi i zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar ishte i palidhur gjenetikisht në rastet e mëparshme. UKHSA e njoftoi zyrtarisht zbulimin tek Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Gripi i derrit tek njerëzit
Bazuar në informacionin fillestar, infeksioni i zbuluar në MB është i lidhur me një formë të veçantë të H1N2, të quajtur clade 1b.1.1, i ndryshëm nga rastet e fundit njerëzore të raportuara në pjesë të tjera të botës. Personi i infektuar, detajet e të cilit nuk u zbuluan, ishte vizituar nga një mjek i përgjithshëm në North Yorkshire më 9 nëntor pasi shfaqi simptoma respiratore. Virusi u identifikua më pas nëpërmjet testimit të reaksionit zinxhir polimerazë (PCR) dhe renditjes së gjenomit.
Si u infektua personi
Personi i infektuar kishte përjetuar një sëmundje të lehtë që nuk kërkonte shtrimin në spital. Aktualisht i rikuperuar, personi nuk duket se ka punuar në kontakt me derrat, ndaj mbetet për t’u hetuar se si e ka marrë infeksionin. Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) po gjurmon kontakte të ngushta për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Nuk dihet në këtë fazë se sa i transmetueshëm është lloji ose nëse mund të ketë raste të tjera në Mbretërinë e Bashkuar.
“UKHSA po monitoron nga afër situatën dhe po merr hapa për të rritur mbikëqyrjen sipas programeve ekzistuese që përfshijnë praktikat e mjekëve dhe spitalet në disa pjesë të North Yorkshire”.
“Njerëzit me simptoma të frymëmarrjes duhet të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet ekzistuese; shmangni kontaktin me njerëz të tjerë ndërsa simptomat vazhdojnë, veçanërisht nëse njerëzit me të cilët bien në kontakt janë të moshuar ose kanë para -patologjitë ekzistuese”, thuhet në një shënim të Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar.