Zidan: Derbi jo provim për mua

Bëhet fjalë për derbin e Madridit një sfidë jo si gjithë të tjerat, por për trajnerin e Realit, Zinedine Zidane dueli ndaj Atleticos është vetëm ndeshja e radhës dhe në lojë janë jo më shumë 3 pikë. Numri 1 i stolit të Los Blancos në konferencën për shtyp u përpoq të ulte disi tensionin në vigjilie të një sfide të tillë. Zidane vlerësoi maksimalisht, Atleticon dhe trajnerin Diego Simeone, por ndërkohë shtoi se kjo ndeshje nuk është një test për të dhe me çfarëdolloj rezultati që të përfundojë nuk do të ndikojë në të ardhmen e tij.
“Vijmë në gjendje të mirë në këtë ndeshje. Kemi riaftësuar disa lojtarë gjatë këtyre ditëve. Kemi ende probleme me dëmtimet, por kjo është një gjë mëse normale në këtë fazë të sezonit. Është një ndeshje e rëndësishme, kemi patur pak ditë për ta përgatitur me grupin e plotë, por jemi gati. Kjo ndeshje nuk është një provim për mua, është thjeshtë një ndeshje e La Liga, ku shanset për të fituar janë 50 me 50. Është e vërtetë që, në “Vicente Calderon” nuk fitojmë që në 2013-ën, megjithatë ne jemi mësuar me ndeshje të vështira si kjo dhe do të provojmë të fitojmë këtë herë. Atletico është një skuadër që nga viti në vit përmirësohet. Ata kanë një trajner të shkëlqyer që ka punuar shumë mirë që nga momenti i ardhur. Simeone ka ndryshuar shumë gjëra dhe është duke bërë një punë fenomenale”, u shpreh Zidane.
Zidane e cilësoi si shumë të rëndësishëm për skuadrën rikthimin nga dëmtimi të kapitenit Sergio Ramos, ndërkohë që nuk zbuloi se, cilët do të jenë lojtarët që do të zëvendësojnë të dëmtuarit Kroos dhe Casemiro në qendër të mesfushës. Griezmman është rreziku kryesor i Realit në sfidën e kësaj të shtune një mendim i trajnerit francez shkoi edhe për bashkëkombasin e tij.
“Kur u njoha me Ramosin, ai kishte më shumë flokë dhe unë po ashtu. Sergio është kapiteni ynë dhe është kënaqësi ta kemi sërish në dispozicion. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën brenda dhe jashtë fushe, një lojtar i madh dhe mbi të gjitha një person i madh. Griezmann? Më bëhet qejfi që ai është gati për të luajtur. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për Atleticon dhe e meriton të jetë pjesë e një ndeshjeje të tillë”, përfundoi trajneri i Real Madridit.

Artikulli paraprakVenger: Nuk flas për Murinjon
Artikulli tjetërConte, trajneri i momentit në Premier League