Antonio Conte është trajneri i momentit në Premier League. 4 ndeshje dhe 4 fitore për Chelsean e tij në muajin e kaluar. Njëmbëdhjetë gola të shënuar dhe asnjë i pësuar. Këto janë statistikat fantastike që ka regjistruar tekniku italian gjatë muajit tetor, me Conte që është duke korrur frytet e punës së tij dhe falë kësaj, ai me meritë është shpallur trajneri më i mirë i mujit të kaluar në Premier League, duke lënë pas rivalët e tij, Jurgen Klopp të Liverpoolit, Arsen Wenger të Arsenalit dhe Mark Hughes të Stoke City, të cilët ishin pjesë e garës.
Pas disa rezultateve jo pozitive “Blutë e Londrës” kanë ndryshuar marsh. Skema e re 3-4-3 ka rezultuar ajo e duhura me Chelsea-in që ka fituar kundër Hull City dhe Southampton në transfertë, ndërsa gjithashtu ka mposhtur bindshëm në “Stamford Bridge” Leicester City dhe Man.United. 4 fitoret e muajit tetor nga suksesi i thellë me shifrat 5-0 ndaj Evertonit në fillim të nëntorit. Momentalisht Chelsea pozicionohet në vendin e dytë, vetëm me 1 pikë diferencë ndaj Livepoolit kryesues. Tetori duket se ka qenë muaji i “Bluve të Londrës”. Pas teknikut Conte edhe sulmuesi Eden Hazard është shpallur lojtari më i mirë i muajit me belgun që ka rifituar formën e tij më të mirë. Hazard ka arritur të shënojë tre gola dhe shërbyer një asist gjatë tetorit. Conte dhe Hazard kanë falënderuar të gjitha ata që i kanë votuar, duke shtuar se këto çmime nuk do të ishin të mundura pa ndihmën e të gjithë ekipit.