Alfred Beleri nuk ka tensionuar vetëm marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë, por edhe ndërmjet qeverisë greke me atë gjermane. A2 CNN iu drejtua me një kërkesë qeverisë gjermane sa i përket qëndrimit të shtetit grek, i cili paralajmëronte bllokimin e procesit integrues të Shqipërisë në rast se Beleri nuk kryente betimin si kryebashkiak i Himarës.
Përgjigjja e Ministrisë së Jashtme të Berlinit shpreh qartë se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve nuk mund të bëhen kurrsesi bllokadë në hapjen e kapitujve të negocimit mes Tiranës dhe Brukselit.
“Aspekti përkatës për procesin e anëtarësimit dhe pranimit të Shqipërisë në BE është përmbushja e kritereve të anëtarësimit, duke përfshirë edhe miratimin e “acquis” të BE-së. Është e rëndësishme që ky të mbetet parimi udhëzues që zbatojnë të gjitha shtetet anëtare kur vendosin për hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit. Çështjet bilaterale ndërmjet dy vendeve janë të papranueshme në procesin e integrimit”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për A2 CNN.
Muaji dhjetor është vendimtar sa i përket procesit integrues të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku vetë Komisioni ka shprehur vullnetin që brenda këtij vitit të hapen grup-kapitujt e parë, por ky vullnet mund të mbetet vetëm dëshirë nëse nuk ka unanimitet mes vendeve anëtare.
“Shpresojmë që brenda këtij viti të hapen grup-kapitujt e parë”, tha nga Brukseli Varhely. Historia e proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor ka treguar më shumë se sa një herë se rrugëtimi drejt Unionit mund të hasë pengesa të vështira. Maqedonia e Veriut u desh të ndryshonte emrin, që të pajtonte qëndrimet e Greqisë, e më pas të pranonte se do të ndryshonte Kushtetutën për të hequr veton Bullgare. Tanimë, me këto pengesa, po kërcënohet Shqipëria, edhe zyrtarisht, siç duket në përmbajtjen e letrës zyrtare që Athina i ka dorëzuar Brukselit, referuar pritshmërisë së vendit tonë për të hapur grup-kapitujt e parë të negociatave.
“Situata bie ndesh me vlerat tona të përbashkëta europiane, kriteret e anëtarësimit dhe “acquis” të BE-së, të cilat janë të panegociueshme. Greqia pret që Shqipëria të marrë masa konkrete dhe të menjëhershme për marrjen e detyrës së Beleris si dhe të respektojë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë dhe prezumimin e pafajësisë.
Përndryshe, Greqia nuk do të jetë në gjendje të pajtohet me fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit”, shkruhet në letrën zyrtare të Athinës që iu dorëzua Brukselit.
Tanimë, shpresat janë më shumë në dorë të diplomacisë europiane, e cila duhet të gjejë konsensusin për të cilën e shkuara ka treguar se ka qenë e vështirë. Mbi këtë situatë, A2CNN i është drejtuar Komisionit, si dhe Këshillit Europian, por ende nuk ka marrë një përgjigje./A2 CNN