DOSJET E KRIMEVE QE HAPEN NGA NESER

Vendimi i Gjykatës i kërkon Shërbimit Informativ hapjen e dosjeve të Sigurimit

Pas një beteje tetëmujore të “BIRN” Albania me SHISH, Gjykata Administrative e Tiranës vendosi që dokumentet mbi numrin e personave të përndjekur nga ish-Sigurimi nuk janë sekret dhe duhet t’i bëhen me dije publikut.
Gjykata Administrative e Tiranës urdhëroi Shërbimin Informativ Shtetëror që të deklasifikojë informacionin mbi numrin e personave që përndiqeshin nga ish-Sigurimi i Shtetit në dekadën e fundit të komunizmit- të dhëna që deri më sot janë konsideruar “sekret” dhe janë mbajtur të kyçura në arkivë.
Vendimi u dha më 17 nëntor nga gjyqtari Gentian Hamiti, duke i dhënë të drejtë një beteje tetëmujore të “BIRN” Albania me Shërbimin Informativ- SHISH, për dokumentet që mbahen ende të klasifikuara, por që i shërbejnë medias dhe opinionit publik për të hedhur dritë mbi metodat famëkeqe të përndjekjes së qytetarëve shqiptarë nga policia sekrete e regjimit komunist.
Më 6 mars 2016, gazetari Gjergj Erebara i “BIRN” Albania i kërkoi SHISH përmes një kërkese për të drejtë informimi analizën vjetore të Sigurimit për vitet 1980-1989 dhe numrin e personave të ndjekur për figura të ndryshme armiqësore, referuar dosjeve të kategorisë 2A për të njëjtën periudhë.
SHISH refuzoi të japë informacionin e kërkuar, duke pretenduar se Ligji 8043 i vitit 1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik” e ndalon atë që të japë dokumente nga arkiva e ish-Sigurimit të Shtetit.
Përgjigjja negative u ankimua fillimisht te komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe pas u dërgua në gjykatë, pasi SHISH refuzoi në vazhdimësi të jepte informacionet e kërkuara.
Pasi shqyrtoi aktpadinë e “BIRN”, gjyqtari Hamiti doli në konkluzionin “se pretendimet e SHISH për klasifikimin e këtyre dokumenteve si sekret nuk qëndrojnë”. Gjykata e detyroi SHISH të deklasifikojë informacionet dhe t’i vërë në dispozicion të “BIRN” Albania.
Vendimi i Gjykatës Administrative të Tiranës, i pari i këtij lloji në Shqipëri, i hap rrugën detyrimit të Shërbimit Informativ Shtetëror që të ndërmarrë procese serioze deklasifikimi dhe publikimi të dokumenteve të periudhës së komunizmit, por edhe të atyre që mund t’i përkasin historikut 25-vjeçar të SHISH si institucion më vete.
Darian Pavli, ekspert i ligjit për të drejtë informimi e cilësoi këtë vendim si tepër të rëndësishëm për shqyrtimin e historisë dhe rolit të Sigurimit të Shtetit në shoqërinë shqiptare, bazuar në dokumente origjinale dhe të besueshme.
“Siguria kombëtare nuk mund të përdoret si një mbulesë për të mbajtur larg syve të publikut çdo lloj dokumenti të prodhuar nga institucionet e sigurisë kombëtare”, tha Pavli pas vendimit të gjykatës.
“Ka ardhur koha që këto të fundit t’i hapin rrugën studimeve historike mbi të kaluarën dhe përgjegjshmërisë mbi të tashmen”, shtoi ai.
Duke u bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, “BIRN” i kërkoi të dhënat e mësipërme për të analizuar rolin e ish-Sigurimit dhe metodat e tij përndjekëse në dekadën e fundit të komunizmit.
Raportet vjetore të policisë sekrete të regjimit komunist në Shqipëri mendohet se mbajnë të dhëna mbi aktivitetin e kësaj strukture famëkeqe. Dosjet 2/A janë kodi i dosjeve të personave për të cilët Sigurimi besonte se kishte informacion mbi aktivitet armiqësor dhe për këtë arsye, mbaheshin në vrojtim të vazhdueshëm me synimin e krijimit të provave për këtë aktivitet dhe rrjedhimisht, ndëshkimin e tyre.
SHISH pretendoi se nuk ishte institucion trashëgimtar i Sigurimit të Shtetit dhe se nuk kishte të drejtë të deklasifikonte informacionet që qëndrojnë në arkivë. Ai pretendoi gjithashtu se ligji i vitit 1995 për “pastërtinë e figurës” e ndalonte SHISH që ta hapte arkivën e dosjeve deri në vitin 2026.
Argumenti i tretë i refuzimit të SHISH lidhej me ligjin e ri për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit. “Kërkuesi duhet të presë krijimin e institucionit që do të menaxhojë dosjet”, pretendoi SHISH.
Në prill 2015, Shqipëria miratoi me bujë ligjin që premton hapjen e dosjeve të Sigurimit dhe përballjen e vendit me të shkuarën e vet të errët gjatë regjimit komunist. Megjithatë, përzgjedhja e anëtarëve të Autoritetit që do të kryejë këtë proces u vonua për një vit e gjysmë. Parlamenti votoi më 17 nëntor pesë anëtarët, ndërkohë që nuk dihet ende se kur do të fillojë puna për hapjen e dosjeve.
Në Gjykatën Administrative të Tiranës, avokati Adriatik Lapaj i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros që asistoi “BIRN” argumentoi se refuzimi nga ana e SHISH bie ndesh jo vetëm me ligjin për të drejtën e informimit, por edhe me disa vendime për çështje identike të marra nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.
“SHISH po cenon të drejtën themelore të palës së paditur për njohje me burime dokumentare të rëndësishme për kërkimet historike dhe debatin publik në lidhje me praktikat represive të ish-Sigurimit të Shtetit në Shqipëri”, tha Lapaj.
Vendimi i Gjykatës Administrative të Tiranës vendos një precedent të ri për trajtimin e arkivës së ish-Sigurimit të Shtetit, e cila është mbajtur e gjitha e mbyllur për publikun shqiptar më shumë se dy dekada pas rënies së regjimit komunist.

Votimi i Parlamentit

Kuvendi ka votuar në seancën e së enjtes për anëtarët e Autoritetit që do të jetë përgjegjës për hapjen e dosjeve. Opozita braktisi votimin. Kuvendi miratoi kandidaturën e LSI-së, Altin Hoxha, me 76 vota pro, 1 kundër dhe 3 abstenim; kandidaturën e PS-së, Mariglen Kasmi me 77 vota pro dhe 3 kundër; kandidaturën e ish-të përndjekurve politikë, Daut Gumenin, me 76 vota pro. Ndërsa kandidatura e propozuar nga Shoqata e të Drejtave të Njeriut, Simon Mirakaj, mori 75 vota.
U rrëzua kandidatura e PD-së, Selami Zalli, me 67 vota kundër, 9 pro dhe 4 abstenim. Më parë, deputeti Ben Blushi kishte shprehur bindjen se Autoriteti që do të krijohet për këtë qëllim nuk do të ofrojë transparencë për qytetarët.
Ligji gjerman i hapjes së dosjeve përfshin atë që është më thelbësore për dënimin e krimeve të komunizmit, përfshin lustracionin, që e bën të pamundur përfshirjen në administratën shtetërore apo kudo gjetkë, spiunët dhe bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit komunist. Ky ligj që ka hartuar me kokëfortësi Partia Socialiste me Edvin Ramën, i ka vënë “një kapak floriri” krimeve të komunizmit, që bie në kundërshtim me Rezolutat e Asamblesë parlamentare të vitit 2005 “për dënimin e krimeve të komunizmit”. Ky veprim antikombëtar është një atentat i turpshëm kundër demokracisë. Është një përpjekje për të mbuluar me natë krimet e baballarëve të tyre kundër popullit shqiptar.
“Dosjet nuk do të hapen dhe ai proces që do të bëhet do të jetë selektiv dhe i politizuar”, tha Blushi. Ai e ka cilësuar një farsë votimin që do të bëhet vetëm falë numrave që gëzon mazhoranca. “Ju mund të kaloni një ligj për dosjet dhe të votoni Autoritetin që do të bëjë hapjen e dosjeve, por ai do të jetë i pabesueshëm”, ka theksuar Blushi.
Ish-Gjermania Perëndimore e Kancelarit Helmut Kol në vitin 1989 më rënien e Murit të Berlinit nuk pranoi të bashkohej, pa hapur dosjet e STASS-it të ish-Sigurimit komunist të Gjermanisë Lindore. Gjermania hapi dosjet, duke u përballur guximshëm me të shkuarën e diktaturës komuniste.
Nesër në RD dosjet e para të pushtetit të lidhur me krimet e diktaturës.

Artikulli paraprakBasha-Szijjarto: Negociata dhe plotësim i kushtit për zgjedhjet
Artikulli tjetërGjendet e mbytur në lumin Kir