Shpërthen vullkani në Indonezi, 11 alpinistë të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur

Njëmbëdhjetë alpinistë u gjetën të vdekur të hënën dhe dymbëdhjetë të tjerë ende janë të zhdukur pas shpërthimit të një vullkani në Indonezi. Ekipet e shpëtimit punuan gjatë natës për të gjetur dhjetëra alpinistë të bllokuar në malin Marapi në ishullin Sumatra. Alpinistët e vdekur u gjetën afër kraterit të Marapit pasi vullkani shpërtheu nga maja e malit prej 2.891 metrash dhe hiri u shpërnda në fshatrat e afërta, sipas një zyrtari lokal të shpëtimit.

Për pasojë, dymbëdhjetë persona u zhdukën, tre të tjerë u gjetën të gjallë dhe 49 kishin zbritur në mënyrë të sigurt nga krateri. Disa prej tyre ishin me djegie dhe fraktura, tha zyrtari. “Ne nuk mund të bëjmë kërkim ajror me helikopter, sepse shpërthimi vullkanik po vazhdon”, tha shefi i agjencisë lokale të shpëtimit, Abdul Malik. Ai tha se rreth 120 persona ishin të përfshirë në kërkim. Tre personat e tjerë që u gjetën të gjallë nuk kishin zbritur nga mali, siç kishin vepruar të 11 personat që u gjetën të vdekur.

Të mbijetuarit u gjetën afër kraterit dhe “gjendja e tyre ishte e dobët dhe disa kishin pësuar djegie”, tha Malik. Zhafirah Zahrim Febrina, njëra nga alpinistët e shpëtuar, shfaqet në një video-mesazh duke i kërkuar ndihmë nënës së saj. Febrina 19-vjeçare është në një spital me babanë dhe xhaxhanë e saj pasi ishte bllokuar në mal në një udhëtim me 18 shokë të shkollës. “Ajo po kalon një traumë të jashtëzakonshme”, tha nëna e saj Rani Radelani, 39 vjeç. “Ajo është e prekur psikologjikisht sepse ka parë djegiet e saj dhe gjithashtu është dashur të durojë dhimbjen gjithë natën”, tha ajo. Zëdhënësi i agjencisë lokale të shpëtimit, Jodi Haryawan, tha se përpjekjet e shpëtimit ishin ndërprerë nga shpërthime sporadike, por kërkimi ishte ende duke vazhduar, pavarësisht rreziqeve.

“Sapo situata ishte më e sigurt, ata vazhdonin kërkimin. Kështu që kërkimi nuk u ndal”, tha ai. Kreu i Agjencisë për Zbutjen e Fatkeqësive të Sumatrës Perëndimore, Rudy Rinaldi, i tha AFP-së se disa nga alpinistët e shpëtuar kishin pësuar djegie. “Ata që janë lënduar kanë qenë ata që janë afruar pranë kraterit”, tha ai. Të paktën tetë persona pësuan djegie, një prej tyre kishte djegie dhe një frakturë dhe një tjetër kishte një plagë në kokë, sipas një liste të atyre që u gjetën nga Basarnas, një agjenci kombëtare e kërkim-shpëtimit.

Artikulli paraprakI vunë flakën Kuvendit, zbardhen akuzat për deputetët e Berishës, Flamur Noka dhe Albana Vokshi. Do referohen në SPAK
Artikulli tjetërKarabina: Ndryshimi statutor që u bë të shtunën, goditje ndaj demokracisë. Legjitimon kthimin e një partie në parti familjare