Kuvendi i Foltores i mbajtur më 2 dhjetor përveç votëbesimit të Sali Berishës shtatë muaj pas humbjes së zgjedhjeve lokale, rezolutës anti SPAK (lexo: antiamerikane), kaloi edhe një vendim, i cili nuk u komentua, madje u mbajt qëllimisht i fshehtë.
Bëhet fjalë për një ndryshim në Statutin e Rithemelimit, që ka të bëjë me mospasjen nevojë për të mbledhur Kuvendin e Partisë për të bërë ndryshime statuore.
Tashmë, ato mund të bëhen vetëm me votat e 2/3 të Këshillit Kombëtar të “Foltores”.
Një ndër kritikat dhe premtimet e Berishës ndaj rivalëve të tij politik, ka qenë pikërisht mungesa e demokracisë dhe pjesëmarrja e demokratëve në vendimmarrje.
Madje, me këtë tezë brodhi lart e poshtë nëpër Shqipëri në “Foltoren” e Parë anti Basha.
Nuk kaloi shumë kohë dhe Berisha, si përherë, “harroi” zanafillën e lëvizjes së tij dhe, përveçse u nxori të bijën për t’ua paraqitur formalisht si pasardhësen në krye të “Rithemelimit”, njëkohësisht e ligjëroi një gjë të tillë me ndryshime statuore.
Kështu është në rregull edhe me “letra” kur të vijë koha e tyre.
Pra, tani nuk është e nevojshme të mblidhen demokratët e “Foltores” për të marrë vendime, por ato mund t’i marrin anëtarët e Këshillit Kombëtar të Rithemelimit, të cilët në pjesë të madhe kanë lidhje krahinore, fisnore, familjare dhe nepotike me familjen Berisha, gjë që do të thotë se për të trashëguar zonja Malltezi-Berisha partinë nuk është e nevojshme vota e demokratëve të Gjirokastrës, Vlorës, Fierit, Beratit, Durrësit apo Tiranës, por vetëm një pjesë e votave të anëtarëve të Këshillit Kombëtar së bashku me votat e Vokshit, Pekës, Strazimirit, Bylykbashit e ndonjë tjetri.
Demokratët që i ndjekin nga pas për më shumë demokraci në parti, duhet ta dinë se prej 2 dhjetorit një grusht i vogël mbështetësish të ish-liderit demokrat do marrin çdo vendim, duke e quajtur legjitim.
Të paktën, ta dinë se as formalisht s’do pyeten, pa realisht nuk është se i ka pyetur kush deri më sot.
Është e qartë se po përgatiet “dorëzimi” i stafetës së “Foltores” te familja Berisha, me akte, gjoja, të miratuara në Kuvendin e saj.