Ekzekutohet me 3 plumba pronari i hotelit në Tiranë

Vritet me tre plumba pronari i një hoteli në Tiranë. Sipas burimeve të policisë, pronari i një hoteli që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës, u gjet i vetëvrarë mëngjesin e djeshëm nga disa kalimtarë në Kodër-Kashar, pranë rezervave të ujësjellësit të fshatit. Të njëjtat burime bënë të ditur se, Eduard Lleshi, 48 vjeç banues në Kashar ishte qëlluar nga një automatik kallashnikov, nga i cili ishin shkrehur tri predha me breshëri.
Lleshi dyshohet të jetë vrarë rreth orës 6:00 të mëngjesin e të enjtes, kur edhe banorët kanë dëgjuar të shtënat, por se kanë menduar se mund të ishte ndonjë gjahtar në zonë. Ndërkaq një kalimtar i rastit këtë mëngjes ka vënë re trupin të shtrirë, i cili qëndronte me pamje nga qielli dhe aty pranë ishte edhe një automatik “Kallashnikov”. Dëshmitari rrëfeu se menjëherë, pasi kishte vënë re biznesmenin e vdekur kishte njoftuar policinë në telefon. Ekspertët e policisë thanë se, viktima ishte gjetur me armën pranë, ndërsa sipas tyre, ai mund të kishte kryer vetëvrasje.
Policia e Tiranës me anë të një njoftimi zyrtar bën me dije se është njoftuar se, “në numrin e emergjencave 112, se në Kashar tek ish-reparti ushtarak afër Xhamisë, ndodhet një person i seksit mashkull i shtrirë, i cili dyshohet i vdekur. Menjëherë janë nisur Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të cilët në vendin e ngjarjes kanë gjetur një person të pajetë të seksit mashkull si dhe në krahë të tij një armë zjarri automatike. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes ka bërë të mundur identifikimin e viktimës, shtetasi E. Ll., i cili është dërguar në ambientet e Mjeksisë Ligjore. Nga hetimet paraprake dyshohet të jetë vetëvrasje. Nga të dhënat paraprake të familjarëve, është konfirmuar se ky person është konstatuar se kishte probleme të shëndetit mendor dhe kurohej rregullisht. Vazhdojnë hetimet në lidhje me këtë ngjarje.
Rritja e numrit të vrasjeve gjatë kohëve të fundit, sidomos për drogën ka tronditur opinionin publik, ndërsa policia për t’u justifikuar deklaron se kemi të bëjmë me “vetëvrasje, sepse vuante nga depresioni. Si mund të jetë vetëvrarë biznesmeni në Kashar kur nga ekspertiza u zbulua se mbi të ishin derdhur tre plumba kallashnikovi? Gjithsesi policia thotë se, po vlerëson edhe pistat e tjera të mundshme në lidhje me ngjarjen.
48-vjeçari së bashku me të vëllain kishin menaxhuar një hotel në zonën e autostradës. Ndërkaq policia tha se, po heton si pistë kryesore vetëvrasjen, për shkak të depresionit. Dyshohet se pronari i hotelit mund të jetë eliminuar për drogën.
Pak ditë më parë u vra për drogën një 32-vjeçar në Tepelenë. Grupi hetimor në Policinë e Tepelenës konfirmoi dje se, Festim Kanushaj është vetëvrarë me armë zjarri. Sipas tyre, vetëvrasja ka ndodhur për arsye se viktima kishte shpenzuar 10 mijë euro për kultivimin e kanabisit në zonën e Luftinjës, e cila njihet si një ndër lokacionet me më tepër kultivime në rrethin e Tepelenës e rrjedhimisht edhe të Qarkut të Gjirokastrës.
Përfundimi ka ardhur pas 24 orësh bazuar mbi provat në terren dhe analizat balistike në armën e zjarrit dhe në trupin e kufomës. Mendohet se, qitja në trupin e tij është bërë në mënyrë të vullnetshme, pasi Kanushaj ka drejtuar pushkën në drejtim të kraharorit dhe distanca mes tytës së armës e trupit ka qenë jo më shumë se 1 centimetër. Kjo është vërtetuar falë ekspertizës mjekoligjore që është kryer në trupin e 32-vjeçarit Kanushaj me kërkesë të grupit hetimor. Familjarët e të ndjerit, një ditë më parë, patën deklaruar se njeriun e tyre e kishin gjetur të mbytur në gjak, pasi kanë dëgjuar një të shtënë të vetme që ka ardhur nga pjesa e prapme e shtëpisë në fshatin Zhapokikë. Menjëherë ata kanë shkuar të shikonin se çfarë kishte ndodhur dhe kanë parë familjarin e tyre të shtrirë përtokë të goditur me armë zjarri.
Ata janë pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore në Policinë e Gjirokastrës ku kanë dhënë dëshminë e tyre rreth ngjarjes në fjalë. Një prej pistave që po heton organi i akuzës në Gjirokastër është se vetëvrasja ka ndodhur për drogën.

Artikulli paraprakMafia e pronave, KLSH padit 12 zyrtarë në Devoll
Artikulli tjetërRama nxjerr me dhunë mësues e nxënës në miting