Protesta e banorëve të Mbrostrarit është zhvendosur dje para Bashkisë së Fierit, ku ka patur mjaft tension mes banorëve dhe policisë. Prej katër ditësh, banorët janë ngritur në protestë, duke kundërshtuar me forcë ndërtimin e fabrikës së përpunimit të plehrave. Ndërsa ditën e djeshme, qindra protestues kanë rrethuar Bashkinë e Fierit, duke bllokuar për diasa orë qarkullimin e mjeteve në qytet. Banorët dolën në protestë që në orët e para të mëngjesit në Mbrostar dhe i kërkuan kryetarit të Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, të vinte në takim me ta, por Subashi ka kërkuar që një përfaqësi nga protestuesit të shkonte në takim në zyrën e tij në Bashki, pasi druhej se turma dilte nga kontrolli dhe krijoheshin tensione.
Qindra banorë janë nisur nga Mbrostari me pankarta në duar “Stop kancerit” dhe i janë drejtuar Bashkisë dhe kanë kërkuar takim me kryetarin. Një përfaqësi protestuesish janë futur në zyrën e Subashit, por në një kohë kur ata prisnin të gjenin një gjuhë të përbashkët me kryetarin e Bashkisë së Fierit, janë revoltuar në zyrën e të zgjedhurit të tyre. Bëhet e ditur se, Subashi u është përgjigjur me arrogancë interesit të banorëve për anulimin e vendimit për ndërtimin e impiantit të mbetjeve në këtë zonë. Mësohet se kreu i Bashkisë, Subashi, iu ka komunikuar protestuesve se, projekti për ndërtimin e impiantit është miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak.
“Impianti do të ndërtohet se s’bën, por unë dua t’iu spjegoj arsyet dhe të mirat që sjell ndërtimi i këtij impianti, për ju dhe për të gjithë qytetin e Fierit”, është shprehur Subashi. Banorët e revoltuar filluan thirrjet; “Nuk e duam”! Pas kësaj, ata nisën t’i kërkojnë kryetarit të Bashkisë që të largohej dhe kanë tentuar ta nxjerrin me forcë nga zyra. Menjëherë kanë ndërhyrë forcat e shumta të Policisë së Rendit dhe ato Bashkiake, duke marrë në mbrojtje Subashin, ndërsa protestuesit kanë dalë nga takimi që zgjati vetëm pak minuta, duke vijuar protestën jashtë deri në orët e vona të mbrëmjes. Pas takimit me kryebashkiakun, banorët u shprehën se kuptuan edhe më shumë se, pushteti është në dorë të arrogancës së karriges, dhe jo në shërbim të qytetarëve. “Megjithëse i erdhëm në derën e shtëpisë, kryetari i bashkisë na preu në pabesi duke e bërë fakt të kryer ndërtimin e impiantit”, u shpreh një protestues. Ndërkohë, tensione ka pasur edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Bllokohet rruga Fier-Tiranë
Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, protesta e banorëve të Mbrostrarit ka shkaktuar tension dhe bllokim të rrugës nacionale në dalje të autostradës Lushnjë-Fier, duke mos lejuar kalimin e makinave drejt Tiranës dhe anasjelltas. Trafiku në të dy anët e rrugës u ndal, duke shkaktuar kaos dhe radhë të gjata automjetesh. Fillimisht pati tensione mes forcave të policisë dhe protestuesve, por ishin këta të fundit, që mbizotëruan situatën, duke vazhduar protestën në mes të rrugës. Banorët kërkuan tërheqjen e Bashkisë së Fierit nga vendimi për ndërtimin e impiantit të mbetjeve në këtë zonë, ndërsa projekti është tenderuar dhe pritet të nisë nga puna.
Një muaj më parë, në protesta u përfshinë edhe banorët e Njësisë Administrative Portëz, duke detyruar Bashkinë të tërhiqet nga vendimi i parë për ndërtimin e impiantit në Portëz. Protesta e banorëve të Mbrostarit hyri në ditën e katërt.
Policia nis gjuetinë e shtrigave
Policia e Fierit ka nisur gjuetinë e shtrigave ndaj protestuesve të Mbrostarit. Ditën e djeshme janë ndaluar 6 protestues, ndërsa policia ka paralajmëruar se do të ketë arrestime të tjera. Dy protestues janë marrë në mes të natës nga policia dhe janë dërguar në komisariat. Edhe gjatë protestës së djeshme, policia ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve dhe i ka kërcënuar me burg, nëse do të dalin sërish në protesta.
Nga ana tjetër në sulm janë hedhur edhe instancat shtetërore. Mjaft familjarë janë paralajmëruar se do të pushohen nga puna nëse do të dalin në protestë për të kundërshtuar ndërtimin e impiantit të plehrave. Kërcënime me pushim nga puna janë bërë edhe ndaj mësuesve që lejojnë familjarët të dalin në protestë. Megjithë terrorin shtetëror, banorët e Mbrostarit janë shprehur se nuk do të tërhiqen nga protesta e tyre derisa të anulohet vendimi i ndërtimit të impiantit të mbetjeve.
R.POLISI