Kreshnik Çollaku: Sfidat kryesore, bashkimi i votës së demokratëve dhe ruajtja e marrëdhënieve me SHBA

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku në parim shprehet i gatshëm për bashkimin e opozitës, por gjykon se kjo nuk është sfida kryesore e saj.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Çollaku u shpreh se sfidat kryesore janë bashkimi i votës së demokratëve në bazë, dhe ruajtja e marrëdhënieve me aleatët strategjikë, SHBA dhe BE.

“Në parim, jam pro bashkimit opozitar, me këdo. Çështja, në parim, nuk ka kush e kundërshton. Unë mendoj, çështja kryesore e opozitës nuk është riformatimi i partive me kryetarë partish prej 30 vitesh.

Sfida kryesore është bashkimi i votës, i demokratëve në bazë. Sfida e madhe është bashkimi i çdo vote demokratësh në bazë dhe moscënimi i marrëdhënieve me SHBA dhe BE. Këto janë dy akset që rikthejnë Partinë Demokratike në pushtet.

Jemi të hapur, unë personalisht jam i hapur për të folur me këdo. Por klima e opozitës është ekstreme. Unë ua thashë, Partisë Demokratike i duhen dy elementë, bashkimi i votës së bazës dhe marrëdhëniet me SHBA.

Mendoj se opozita ka nevojë që të jetë opozitë e pastër, që nuk mund të jetë subjekt i hetimeve të SPAK, që ruan marrëdhëniet me aleatët strategjikë. Është formula e duhur”, theksoi ai.

Artikulli paraprakShënim/ PD – Alternativa Perëndimore Qeverisëse
Artikulli tjetërTre reflektime mbi debatin publik mbi një vrasje (Liridona A)