Pallati i ëndrrave nga Ismail Kadare… a ishte regjimi komunist nën kontrollin e ‘ëndrrës’?

“Pallati i ëndrrave” është një nga romanet më të spikatura të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, i cili u vlerësua si një ndër librat më të shitur të vitit të kaluar. Edhe në vitin 2023 të dhënat tregojnë se interesi për të lexuar veprat e Kadaresë mbetet i lartë, madje edhe te të rinjtë.

“Pallati i ëndrrave” karakterizohet me frymën e epikës, të cilën letërsia europiane e quan të shteruar. Vepra e tij e përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës vazhdimisht ka qenë në listën e kandidaturave për çmimin “Nobel”, në emër të letërsisë sonë.

Gjatë komunizmit dy kapitujt e parë të romanit, me titullin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, fillimisht u botuan në vitin 1977, në përmbledhjen me tregime “Emblema e dikurshme”. Autori e boton të plotë veprën tre vjet më vonë. Por në shkurt të vitit 1982, vepra u kritikua dhe u ndalua të qarkullojë. Pas rënies së komunizmit vepra pëson ndryshime artistike. Romani mori titullin “Pallati i ëndrrave” dhe emri i personazhit kryesor ndryshoi nga emri turk Ebu Qerim, në Mark-Alem. Në këtë periudhë dhe deri më sot vepra interpretohet si anti-komuniste, megjithëse ka debate dhe të tjerë zëra që thonë të kundërtën se, Kadare e zhvilloi veprën e tij si i privilegjuari i regjimit.

Në një shtet totalitar i cili në fillim ngjason me Perandorinë Osmane, ndodhet “Tabir Saraj” (Pallati i ëndrrave), një institucion/organ shtetëror ku mblidheshin dhe analizoheshin ëndrrat. Mark Alemi, personazhi kryesor i veprës, ishte djalë i familjes të Qypryllinjve, pra një familje të pushtetshme dhe të pasur por që në ato momente nuk po kalonin një fazë të mirë.

lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=675&loc=https%3A%2F%2Fliberale

Tabir Saraj apo Pallati i ëndrrave shihej si një nga institucionet themeltare të shtetit. Ai kontrollonte çdo gjë, “deri tek ëndrrat e njerëzve”. Autori ideon strukturën e një pallati me korridore pafund, me shumë kate mbi e nën dhe, me salla të stërmëdha, me seksione e nënseksione, ku mijëra nëpunës punojnë kokulur për të zgjidhur enigmën e rrezikut që i kanoset Perandorisë. Pikërisht në këtë institucion vendoseshin ‘fatet e njerëzve’. Duket se Perandoria qeverisej njëherazi nga dy forca: njëra e dukshme e cila është shteti që njohin të gjithë me rregullat e tij dhe tjetra e padukshme që mund ta cilësojmë si një shtet brenda shtetit, më i fortë se i pari, por i padukshëm, që është Tabir Saraj (Pallati i Ëndrrave).

Ëndrra shihet nga Kadareja si një çelës për të zbuluar e shpjeguar rreziqet e së ardhmes. Por mund të shihet dhe si një kurth, në qoftë se bie në absurditetin e saj. Ëndrra mund të paralajmërojë komplote, tradhti, kryengritje, mund të japë sinjalin e një çarjeje të unitetit të perandorisë, sinjalin e fillimit të një lufte, të prishjes së aleancave, mund të paralajmërojë vjedhjet e mëdha, abuzimet, degradimin. Kështu, në romanin e Kadaresë, ëndrra bëhet më e fuqishme se realiteti.

Në këtë vepër shohim raportin e individit që ka ambicien të integrohet në strukturat shtetërore dhe që e gënjen mendja se do të fuqizojë veten prej fuqisë së pushtetit. Ashtu siç Mark Alemi u integrua në Pallatin e Ëndrrave. Ky është një konflikt i përjetshëm, në të cilin vihet në dukje se çdo përpjekje e individit për t’u marrë me shtetin, për të depërtuar në brendësi të tij dhe për ta marrë me të mirë është e dështuar. Individi, në çfarëdo raporti që ta vendosë veten me shtetin, mbetet i kërcënuar prej tij. Kështu edhe Mark Alemi, edhe pse u bë pjesë e lartë e një organi shtetëror, ai përsëri ishte gjithë kohës i kërcënuar prej tij.

Si në vitet e vështira të komunizmit kur është shkruar, ashtu edhe në vitet e tranzicionit, të shumtë  janë ata të cilët pa pasur asnjë meritë, falë privilegjeve dhe kërcënimeve që kanë përjetuar, mund ta gjejnë veten në “Pallatin e ëndrrave” të Kadaresë.

Artikulli paraprakMarrëveshja Rama-Meloni për emigrantët, mediat italiane: Këshilli i Ministrave i jep dritën jeshile projektligjit
Artikulli tjetërARRSH, 850 milionë lekë për 6 kryqëzime, tenderi u fitua nga kompania me ofertën më të lartë