Basha-Schmidt: Zgjedhjet, sfida më e madhe e vendit

Ministri gjerman i Agrikulturës dhe Ushqimit, Christian Schmidt garantoi dje kryetarin e opozitës, Basha se partia e tij do të jetë në krah të PD në çdo sfidë me të cilën ajo do të përballet në të ardhmen. “CSU do të jetë në krah të Partisë Demokratike në çdo sfidë që ajo dhe Shqipëria do të kenë përpara”, tha Schmidt. Ministri gjerman konstatoi shqetësimin e opozitës shqiptare se sfida më e madhe që sot vendi ka përpara është ajo e zgjedhjeve të lira, të cilat janë të rrezikuara nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Marrëdhëniet mes demokratëve dhe CSU-së, si dhe CDU-së së Kancelares Merkel kanë njohur një afrim të mëtejshëm gjatë kohëve të fundit. Këto parti kanë asistuar në pjesë të rëndësishme të programit ekonomik të PD, i cili do t’i prezantohet qytetarëve në prag të zgjedhjeve. Basha është anëtar i familjes më të madhe në gjirin e Parlamentin Europian. Ai merr pjesë në të gjitha takimet e Partisë Popullore Europiane, ku dhe kontaktet janë të shpeshta me krerët e Bashkimit Europian.

Takimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim ministrin Federal të Agrikulturës dhe Ushqimit të Gjermanisë, Christian Schmidt, njëkohësisht nënkryetar i CSU dhe zëdhënës për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në CSU, me të cilin ndau vlerësimin për marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave Shqipëri-BE, si dhe shprehu shqetësimin për sfidat e mëdha që po has Shqipëria, mbi të gjitha me çështjet që kanë të bëjnë me krimin, korrupsionin, me drogën, me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me dekriminalizimin.
Basha e falënderoi z. Schmidt për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania, populli gjerman dhe CSU, i kanë dhënë Shqipërisë që nga hapat e para të demokracisë dhe deri më sot, për konsolidimin e institucioneve dhe shtetit ligjor, për zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe integrimin europian.
Kryetari Basha theksoi se një prej sfidave që po has vendi është moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit, çka nuk po sjell ndarjen nga krimi dhe po vë në dyshim sundimin e ligjit duke rrezikuar demokracinë.
Për fat të keq, tha Basha, kthimi i drogës në aktivitetin më të madh prodhues në vend ka nxjerrë në pah forcimin e krimit të organizuar dhe lidhjet e tij me segmentet më të larta shtetërore.
“Sfida më e madhe sot është garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme”, u shpreh z. Basha.
Nga ana e tij, zyrtari i lartë gjerman, ministri Schmidt vlerësoi rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike në procesin e integrimit europian gjatë qeverisjes së saj, si dhe sot në opozitë, si edhe bashkëpunimin ndër vite mes Partisë Demokratike dhe CSU dhe vuri theksin në thellimin edhe më tej të këtyre marrëdhënieve si parti simotra anëtare të së njëjtës familje politike europiane të EPP. Ai garantoi z. Basha, se CSU do të jetë në krah të Partisë Demokratike në çdo sfidë që ajo dhe Shqipëria do të kenë përpara.
Kryetari Basha tha se PD ka dhënë dhe jep mbështetje totale për integrimin europian të Shqipërisë dhe është e vendosur të vazhdojë kontributin e saj maksimal për të ardhmen europiane të Shqipërisë, në sinkron të plotë me parimet themelore të Partisë Demokratike.

Artikulli paraprakRama zhduk fotografinë e Havzi Nelës nga bunkeri
Artikulli tjetërGuliani: Serbëve u thashë se duhet të bombardoheshit