Në korrik të vitit të kaluar, Ilir Meta rimori në dorë frenat e partisë, pasi një vit më parë Monika Kryemadhi ia kishte katandisur me vetëm katër mandate në Kuvend, nga 18 të tillë që mori në vitin 2017.
Pavarësisht se në publik ngriti alibinë se rezultati zhgënjyes lidhej me shit-blerjen e votës dhe manipulimet e tjera të Edi Ramës, fajtoren e kishte identifikuar me kohë. Meta zhduku Monika Kryemadhin nga postet e larta të partisë së re të ngritur mbi rrënojat e LSI-së dhe u përfol se i ndaloi edhe daljet publike.
E lënë në periferi të periferisë së opozitës, Monika Kryemadhi pas këtij momenti gjeti kohë që t’i përkushtohej vetes. Nisi palestrën dhe në rrjetet sociale publikonte video duke bërë pompa, ngritur gira, shtanga e të tjera pesha të rënda.
Rutina iu prish një javë më parë, kur nga SPAK rrodhi lajmi se gjykata e posaçme i kishte refuzuar kërkesën për heqjen e sekuestros të një prove të bllokuar në kuadër të një prej shumë hetimeve që prokurorët e posaçëm kanë nisur ndaj saj dhe Ilir Metës.
Në lidhje me këtë hetim, SPAK është treguar hermetik dhe nuk është i qartë karakteri i kësaj prove. Por, e qartë është se vendimi i gjykatës për ta mbajtur atë nën sekuestro e ka rikthyer në skenën publike Monika Kryemadhin bashkë me rrezikun që ky rikthim të përkthehet në kosto të mëtejshme elektorale për partinë e Ilir Metës. (Voxnews.al)