Ndahet nga jeta poeti, gazetari dhe pedagogu i njohur Musa Vyshka

Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare, poeti, pedagogu dhe gazetari i njohur elbasanas, Musa Vyshka.

Lajmin për ndarjen nga jeta të pedagogut e njoftoi djali i tij, Gjergji Vyshka nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

“Me hidherim te thelle lajmeroj ndarjen nga jeta te babait tone, poetit, pedagogut ne Universitetin “Aleksander Xhuvani” ne Elbasan, Musa Vyshka”, shkruan i biri i Musa Vyshkës në Facebook.

Musa Vyshka do të përcillet për në banesën e fundit nesër, e premte ora 11:00.

Kush ishte Musa Vyshka

I lindur në Elbasan me 28 qershor 1942, Musa Vyshka u diplomua në degën “Gjuhë-Letërsi” në Tiranë 1960-1964. Që nga krijimi i Institutit Pedagogjik të Elbasanit ishte pedagog i Letërsisë. Ka ushtruar profesionin e gazetarit. 1981-1991 ishte Kryetar i Degës së Shkrimtarëve të Elbasanit, libretist në Teatrin “Skampa”.

Më 1992 u kthye në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, shef katedre i Letërsisë deri me 2002 që doli në pension.
Themelues i gazetës “Fjala e lirë”, anëtar i Këshillit Bashkiak të Elbasanit 1992-1996. Në vitin 2022 është nderuar me titullin “Nderi i Qarkut të Elbasanit”.

Musa Vyshka është njeriu që ka shkruar me dhjetra libra me poezi, por që nuk ka lënë mënjanë as tregimin. I përket një ndër plejadave më të shkëlqyera të krijuesve shqiptarë si Helena Kadare, Sadije Agolli, Sadik Bejko, Ruzhdi Pulaha e të tjerë, që kanë lënë gjurmë në letërsinë shqiptare.

Për shumë vjet ai ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të qytetit të Elbasanit. Në diktaturë, sipas tij, shkrimtarët ishin më të respektuar nga shteti se sot në demokraci.

Artikulli paraprakDeputetët e Rithemelimit ndezin tymuese në Kuvend, Nikolla nis seancën dhe heq nga rendi i ditës marrëveshjen për emigrantët
Artikulli tjetërU thirr për Gërdecin por mungoi/ SPAK: Shkëlzen Berisha nuk banon në adresën që na ka dhënë