Banka Credins ka kërkuar fillimin e ekzekutimit të detyruar për një linjë kredi prej 1.14 miliardë lekësh (rreth 8 milionë euro) dhënë në vitin 2014 kompanisë së tregtimit të naftës, tashmë të falimentuar, “Tea Construction & Petrol”.
Shoqëria përmbarimore “TMA” ka kërkuar për llogari të Bankës Credins, që “Tea Construction & Petrol” dhe dorëzanësi Ardian Xhillari të paguajnë brenda 10 ditëve shumën prej 1.14 miliardë lekësh dhe shpenzimet e përmbarimit, përndryshe ndaj tyre do të fillojë procesi i ekzekutimit të detyrueshëm përmbarimor, si dhe vendosja e sekuestrove ligjore-përmbarimore.
“Tea Construction & Petrol” (shoqëri aksionere-operatori i shumicës), shënoi një lulëzim të aktivitetit më 2013-n, duke blerë dhe dy marka të tregtimit të naftës Alpet dhe Cyclon, dhe katërfishoi aktivitetin, duke arritur një xhiro prej 8.7 miliardë lekësh. Kompania ra 5% më 2014-n, dhe në gjysmën e dytë të 2015-s, aksioneri i saj u largua nga Shqipëria, duke lënë pas një mal me detyrime të papaguara, si te të tretët, ashtu dhe te bankat. Në maj të vitit 2016 u bë publike se nga hetimet e Prokurorisë së Fierit, në bazë të materialit referues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka rezultuar se kompania “Tea Oil”, me administrator të pandehurin Adrian Xhillari ka marrë lejen nga autoritetet doganore për të transportuar naftën “virxhin” në pronësi të tij, nga depot e Mëzezit, në Tiranë, për në depot pranë rafinerisë së përpunimit të naftës në Ballsh. Por nga hetimet ka rezultuar se kjo sasi nafte, 4.4 milionë litra, e cila nuk lejohet të dalë në treg pasi është e cilësisë bruto, nuk ka mbërritur në depozitat në Ballsh, por është shpërndarë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të vendit, duke u shitur në treg të lirë, duke shkaktuar një dëm prej 2.2 milionë eurosh.
Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, “Tea Construction & Petrol” figuron ende me status aktiv, por në të nuk është bërë asnjë veprim nga vetë kompania që prej majit të vitit 2015, kur është hequr një adresë, ndërsa pas kësaj periudhe, në QKB janë depozituar kërkesa të shumta për sekuestro nga debitorë të ndryshëm.
Nuk është e qartë as çfarë asetesh zotëron ende “Tea Construction & Petrol”, pasi në fund të vitit 2015, pikat e tregtimit të naftës të “Tea Construction & Petrol”, u zëvendësuan me logon vetëm të Alpet.