Sovranistët e hajnisë ndihen të rrezikuar nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsion.
Altin Dumani, si njeriu i Amerikanëve në SPAK, ka lënë pa gjumë trinomin Berish-Meta-Rama.
Sulmet nga të tria brinjët e trekëndëshit janë lajm i mirë se SPAK nuk komandohet nga shqiptarët, por nga ndërkombëtarër.
Shqipëria është në një stanjacion të plotë, politik, mediatik dhe ekonomik.
Politika e deritashme ka rënë dakort për të mbajtur njëri-tjetrin sipas parimit “i yti mishin ta ha, por kockën ta ruan” dhe vetëm një drejtësi funksionale mund ta shpërbëjë këtë triumvirat dhe të bëjë të mundur jo vetëm qarkullimin e elitave të kalbura politike, por njëkohësisht edhe klientët e tyre mediatik dhe ekonomik.
Shqiptarët sot duhet të ishin në krah të Amerikës dhe të BE-së, sepse një Reformë në Drejtësi funksionale është në të mirë të tyre dhe të së ardhmes së fëmijëve të tyre, pavarësisht problemeve që mund të ketë apo që mund të dalin gjatë rrugës.
Sigurisht që nga SPAK-u është pritur dhe pritet shumë.
Ashtu sikurse mund të thuhet se deri më sot puna dhe rezultatet e tyre kanë qenë jo të pakta, duke parë kontekstin në të cilin lindi dhe u rrit kjo strukturë e re.
Fakti është se presioni i politikës, i botës së medias dhe të biznesit është shumë i madh që gjërat të qëndrojnë kështu siç janë.
Mjafton të ndjekësh se çfarë sulmesh bëhen nga politikanët tanë apo nga sejmenët e tyre mediatik, për të kuptuar se kush janë armiqtë e vërtetë të Reformës në Drejtësi dhe se kush i frikësohen më shumë një mirëfunksionimi të sistemit hetimor dhe gjyqësor në vend.
SPAK dhe drejtësia edhe mund të dështojnë. Ato edhe mund të frikësohen dhe të mos kenë rezultat efektive në luftën kundër korrupsionit, për shkak të arsyeve nga më të ndryshmet.
Por një gjë është e vërtetë: nëse ndryshojnë gjërat për mirë, mund të ndryshojnë vetëm nëse do fillojmë të kemi rezultat konkrete në goditjen e korrupsionit në katet e larta të politikës 30-vjeçare në Shqipëri.
Në të kundërtën, do vijojë zvarritja dhe tollovija politike, ndërsa populli do vijojë të bëjë sehirxhiun nga llogoret partiake që nuk e lejojnë të shohin përtej hundës së partisë së tyre.