Lajme të mira për kombëtaren shqiptare nga Chellenge League në futbollin zviceran. Armando, Sadiku, i cili u mungoi kuqezinjve në dy sfidat e fundit me Spanjën dhe Izraelin, ka lënë pas dëmtimin duke u aktivizuar në pjesën e dytë në fitoren 0-4 të Zyrihut në fushën e Servette. Trajneri i Zyrihut, Ulrich Forte preferoi t’i jepte vetëm disa minuta në këmbë 25-vjeçarit, i cili ende nuk është i gatshëm për të përballuar një 90 minutësh të plotë. Sadiku zëvendësooi në minutën e 77-të Sarr, kur rezultati ishte 0-3.
Zyrihu shënoi një tjetër gol në të 87-ën me sulmuesin kuqezi në fushë. Në fakt Sadiku u përfshi në listën e të grumbulluarve nga De Biasi për ndeshjen e “Elbasan Arenës” me Izraelin, me shpresën se mund të rikuperohej në kohë, por stafi teknik vendosi ta linte në tribunë për të mos rrezikuar me një aktivizim të parakohshëm, që mund të ndikonte edhe më keq në gjendjen fizike të futbollistit. Sadiku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në gju, për shkak të dëmtimit të meniskut, duke qëndruar për rreth dy muaj jashtë fushave të blerta.