Ashtu siç pritej, Berisha dështoi në realizimin e protestës së sotme në Kryesinë e Kuvendit.
Së pari, dështoi përsa i përket bllokimit të realizimit të mbledhjes së Komisionit të Mandateve dhe, së dyti, dështoi të bind demokratët për t’iu bashkuar protestës së hallit të tij penal.
Ai u braktis edhe nga deputetët asnjanës, Bardhi and CO, që nuk janë as me drejtësinë, as me SHBA-në, as me njëri, por vetëm me karrigen e tyre.
Ndonëse prej kohe të gjatë ai vjen lart e poshtë nëpër Shqipëri për të ndezur zjarrin e revolucionit dhe stinën e protestave, dita e sotme dëshmoi braktisjen e madhe të demokratëve ndaj Sali Berishës.
Që njerëzit nuk ndjekin politikanët e korruptuar në përballjen e tyre me drejtësinë, është një lajm i mirë që shkon përtej Sali Berishës.
Çdokush që ka punë me drejtësinë, duhet të përballet me të i vetëm, pa imunitet dhe pa vënë përpara militantët.
Sali Berishës i duhej partia, selia dhe sigla e partisë për t’i përdorur si bunker dhe si mburojë.
Pavarësisht se bëri gjithçka duke e shkatërruar partinë, dita e sotme e tregoi se nuk ia doli dot.
Nga sot ai duhet të gjejë një avokat të mirë, jo këtë që ka çuar te Komisioni i Mandateve, dhe të përballet juridikisht me akuzat penale.
Politikisht dështoi t’i mbushë mendjen njerëzve se halli i tij është kauza e tyre.