Arben Çejku, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Qeverisje të Mirë si dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, flet mbi situatën e vështirë në të cilën ndodhet opozita në Shqipëri dhe se çfarë mund të bëhej ndryshe, në funksion të ecurisë më të mirë të vendit.
Zoti Çejku thotë se “sa më shpejt që të organizohet opozita, aq më mirë do të ishte për Shqipërinë dhe mbështetësit e saj”. Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në vend, aksionit të mosbindjes civile nga një pjesë e opozitës, si dhe kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, zoti Çejku thotë se “drejtësia duhet të vazhdojë punën e vet dhe çdo zyrtar apo ish-zyrtar, duhet të mbrohet me mjete juridike dhe jo politike”.
Zëri i Amerikës: Zoti Çejku, një pjesë e opozitës në Shqipëri është përfshirë së fundmi në një aksion mosbindjeje civile, që siç tha sot ish-Kryeministri Sali Berisha, do të jetë pa kthim. Por jo e gjithë opozita e mbështet këtë qasje. Është fakt i njohur që opozita prej 10 vitesh tashmë është e përçarë e në përpjekje për t’u reformuar, por ka shumë që po ngrenë argumentin se ajo ndodhet në pikën më të ulët të saj. Si mendoni se ndikon një gjë tillë në ecurinë vendit?
Arben Çejku: Sigurisht që opozita, tashmë pas dy vitesh që gjendet në një kaos të organizimit të brendshëm dhe të përfaqësimit të elektoratit shqiptar, ka nevojë dhe është ekspozuar tejmase e konsumuar përsa i përket artikulimit të interesave të qytetarëve. Ajo çfarë shohim ne është ballafaqimi i një grupi të caktuar për çështje që lidhen me nongratën ndaj ish-kryeministrit dhe me çështjet e tij të fundit të lidhura me drejtësinë.
Unë mendoj se drejtësia duhet të vazhdojë punën e saj dhe çdo zyrtar apo ish zyrtar duhet të mbrohet me mjete juridike dhe jo me mjete politike. Për aq kohë sa mjetet politike kërkojnë t’i bëjnë gjyqin drejtësisë atëherë sigurisht që do të kemi këto lloj shfaqjesh. Sa më shpejt që të organizohet opozita për të qene në misionin e saj për të cilin është votuar, aq më mirë do të ishte për Shqipërinë, për parlamentin por edhe për mbështetësit e saj. Për aq kohë sa një pjesë e opozitës është në kaos për të mos gjendur rrugën e përfaqësimit të interesave të qytetarëve, sigurisht që është për të ardhur keq të shohësh edhe skena të tilla që janë shumë të sforcuara me një retorikë të pambështetur në argumente.
Zëri i Amerikës: Zoti Çejku, zoti Rama ka 10 vjet në pushtet, është në mandatin e tretë të tij, me gjasë do të fitojë edhe të katërtin nëse opozita do të vazhdojë të jetë kjo që është. A ndani dhe ju shqetësimin e disa analistëve se një gjë e tillë, qëndrimi i gjatë të pushtet në vende me një kulturë të dobët demokratike, sikurse Shqipëria, ushqen prirje autokratike në qeverisje?
Arben Çejku: Jemi futur në një rreth vicioz nga i cili është e vështirë për të dalë tashmë për aq kohë sa nuk kemi një riorganizim të opozitës dhe opozitarizmit në Shqipëri. Ndryshimi nuk mund të vijë duke i kërkuar qeverisë që të jetë më e mirë, apo të bëjë një qeverisje më të mirë, por ndryshimi vjen duke parë një opozitë që reflekton interesat e qytetarëve, pritshmëritë e tyre dhe është një opozitë që kthehet në alternativë për të udhëhequr përpara. Për aq kohë sa ne nuk shohim një mundësi të një organizimi të një opozite, pra të një alternative për të ndryshuar qeverisjen, sigurisht që autoritarizmi edhe nëse nuk është mision në vetëve dhe qëllim në vetvete, është një shfaqje që nga mbingarkesa e pushteteve, është e pamundur për të patur një qasje të re.
Zëri i Amerikës: Shumica e opozitës sot është e rreshtuar krah ish kryeministrit Berisha, i cili është shpallur nongrata nga Uashingtoni dhe Londra. A mendoni se opozita ka të ardhme me një politikan si zoti Berisha?
Arben Çejku: Për mua është i tejkaluar edhe si politikan, por misioni i tij është kryer deri në vitin 2013 si kryeministër dhe nuk mund të ketë kthim mbrapa, qoftë për respektin që mund të kemi për figura dhe për kontributet që kanë dhënë. Unë mendoj që duhet një rikonfigurim i gjithë opozitarizmit rreth figurave të reja dhe nuk duhet që të jemi peng i të shkuarës apo i personave që kanë patur pushtet. Unë mendoj se zoti Berisha dhe gjithë të tjerët që mund të thirren nga SPAK, duhet të përgatiten në aspektet juridike dhe të mos mendojnë që rruga e përdorimit politik apo përdorimi politik i rrugës mund të sjellë rezultat për ta apo për qytetarët. Nga të gjitha studimet që kemi bërë, rezulton që qytetarët shqiptarë nuk kanë pritshmëri dhe besim tek politika e së shkuarës. Ata shohin të ndryshojnë këtë qeverisje që është, e jo të kthehen tek modele apo personazhe të së kaluarës./ VOA