Të dielën në Serbi janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme, ku partia e presidentit aktual Aleksandar Vuçiç thotë se ka fituar. Në anën tjetër nga opozita në Serbi thonë se ka patur shumë parregullsi, blerje votash e “tren bullgar”i.
Madje opozita sot është mbledhur para objektit të komisionit zgjedhor në Beograd, duke kërkuar mospranimin e rezultateve të zgjedhjeve në Beograd. Shumë prej tyre u futën edhe në grevë urie, duke u zotuar se nuk do të tërhiqen derisa të përmbushen kërkesat e tyre.
E nga ministria e Jashtme e Gjermanisë përmes një postimi në X është bërë e ditur se Serbia ka votuar, por që sipas OSBE-së, ka patur keqpërdorime të burimeve publike. “Serbia ka votuar, por OSBE raporton keqpërdorim të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votave. Kjo është e papranueshme për një vend me status të kandidatit në BE”, thuhet në postimin e ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.
Lidhur me zgjedhjet në Serbi ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde i cili ka shpërndarë postimin e ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.