Laporta kërcënon Ksavin, i çon mesazh të qartë trajnerit pas ecurisë jo bindëse: Pa trofe…

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dalë përsëri publikisht për t’i dhënë të gjithë mbështetjen dhe besimin e plotë trajnerit Ksavi Hernandez. Rezultatet zhgënjyese të javëve të fundit kanë ngritur pikëpyetje mbi teknikun e kampionëve të Spanjës. Laporta dhe njëherë tjetër i ka dalë në krah.

Megjithatë, këtë herë me një paralajmërim, apo kërcënim. Numri një i klubit e ka bërë të qartë se nëse Barcelona nuk fiton asnjë trofe në këtë sezon, atëherë do të ketë dhe masa të forta. Në daljen e tij për mediat, Laporta ka folur edhe për merkaton e dimrit, Super Ligën Europiane dhe tema të tjera që kanë të bënë me ekipin.

KSAVI – “Trajneri ka të gjithë besimin tonë dhe e meriton. Kur i jepni një personi besim, ai jep më të mirën. Besimi që kemi te Ksavi është i plotë. Përveç njohurive të tij, ai është një trajner i madh, por ka edhe virtytin e të qenit një person elastik, i cili mbron lojtarët e tij, gjë që thotë shumë në favor të tij”.

NDËRHYRJA NË SKUADËR – Presidenti ka sqaruar dhe ndërhyrjen e tij në listën e lojtarëve të grumbulluar për takimin e fundit në Champions, kundër Antverpit që shkaktoi polemika në Spanjë.

“Ne synuam të arrijmë një konsensus me trajnerin dhe drejtorin Deko. Kërkuam të bëjmë ‘Team Building’. Udhëtimi ishte i gjatë dhe mjekët rekomanduan që të qëndronim atje. Lojtarët më thanë se preferonin të ktheheshin pas ndeshjes, por në fund, ne preferuam të qëndronim atje, pasi sipas mjekëve pushimi ishte më i përshtatshmi”.

PASOJAT E HUMBJES – “Humbja ka gjithmonë pasoja. Nëse nuk fitojmë tituj këtë sezon, do të duhet të merren vendime. Kemi ndërtuar një skuadër për të fituar, janë ato që i duhen më shumë klubit, bazuar në atë që është bërë. Barcelona është në garë të plotë në të gjitha kompeticionet ku merr pjesë. Ne aspirojmë të fitojmë të gjitha aktivitetet, të gjitha ato ku po marrim pjesë. Tani kemi Superkupën dhe do të fillojmë Kupën e Mbretit”.

MERKATO E DIMRIT – “Nëse arrijmë të kemi “fair play”-it financiar, ideja është që të kemi një mesfushor që në një farë mënyre kompenson mungesën e Gavit. Do të ishte një huazim deri në fund të sezonit, siç bëmë shumë vite më parë me Edgar Davids, për shembull”.

SUPER LIGA – “Nëse kjo ndodh (Gjykata jep një vendim të favorshëm), gjëja e parë që duhet të bëjmë është të fillojmë një periudhë reflektimi me UEFA-n. Duhet bërë kështu. UEFA duhet të ketë mundësinë të marrë pjesë në këtë kompeticion të ri. Shpejtësia e projektit do të varet nga ky dialog, por në një ose dy vjet ne mund ta kemi Super Ligën në funksionim”, argumentoi ai.

DY ZHOAOT – Agjenti i lojtarëve (Zhorzh Mendesh) dhe dy klubet (Siti dhe Atletiko Madrid), me të cilët kemi një marrëdhënie të mirë dhe e njohim shumë njëri-tjetrin, tashmë na kanë udhëzuar se ku duhet të përqendrohemi. Ne jemi të interesuar që Feliks dhe Kanselo të jenë përfundimisht pjesë e Barcelonës”.

Artikulli paraprakCeline Dion në gjendje të rëndë shëndetësore, këngëtarja humb kontrollin ndaj muskujve
Artikulli tjetër“PD depoziton në Kuvend projekt për heqje të plotë të imunitetit të deputetëve”, Kthupi: “Qëndrimi ynë koherent dhe konstant”