“PD depoziton në Kuvend projekt për heqje të plotë të imunitetit të deputetëve”, Kthupi: “Qëndrimi ynë koherent dhe konstant”

“Partia Demokratike ka mbajtur një qëndrim konstant dhe koherent mbi imunitetin e deputetit, duke e konsideruar këtë të fundit një rudiment dhe një simbol të pabarazisë ndërmjet zgjedhësve dhe të zgjedhurve.” – kështu është shprehur në një deklaratë për mediat Rezart Kthupi, Sekretar për Reformën Zgjedhore dhe Përfaqësues Ligjor i Partisë Demokratike.

Përfaqësuesi demokrat shprehet se “Parita Demokratike ka depozituar ditën e djeshme një projekt-propozim në Kuvendin e Shqipërisë me qëllim krijimin e mekanizmit ligjor për heqjen e plotë të imunitetit të deputetëve.”

Më poshtë deklarata e plotë e Rezart Kthupit:

Partia Demokratike ka mbajtur një qëndrim konstant dhe koherent mbi imunitetin e deputetit, duke e konsideruar këtë të fundit një rudiment dhe një simbol të pabarazisë ndërmjet zgjedhësve dhe të zgjedhurve.
Në vazhdën e këtyre qëndrimeve të kahershme, Parita Demokratike ka depozituar ditën e djeshme një projekt propozim në kuvendin e Shqipërisë me qëllim krijimin e mekanizmit ligjor për heqjen e plotë të imunitetit të deputetëve.

Projekt vendimi për ndryshimin e rregullores së kuvendit krijon bazën ligjore që deputetët brenda 5 ditësh nga miratimi i propozimit dhe brenda 5 ditësh nga fillimi i legjislatuarës të depozitojnë pranë kryetarit të kuvendit një deklaratë me shkrim me të cilën heqin dorë nga procedurat parlamentare për heqjen e imunitetit duke i hapur plotësisht rrugën drejtësisë në marrjen e masave ndaluese të arrestit në rastet e hetimeve penale në ngarkim të tyre.

Partia Demokratike vlerëson se reforma në drejtësi, të cilën ajo e ka mbështetur në cdo hap, ka prodhuar më në fund një drejtësi të pavarur nga politika, e cila ka krijuar besimin dhe ka mbështetjen e gjerë qytetare në punën e saj për hetimin dhe goditjen e korrupsionit e lartë të politikës dhe administratës shtetërore.

Në kushtet e një drejtësie të pavarur, Partia Demokratike vlerëson se çdo qëndrim kundër heqjes së plotë të imunitetit për deputetët është një tentative për të mos lejuar hetimin e korrupsionit të politikanëve apo të njërëzve të lidhur me ta.

Ftojmë të gjithë deputetët e kuvendit të shqipërisë që të votojnë projekt vendimin e depozituar nga Partia Demokratike si shenjë e vullnetit të tyre në luftën kundër korrupsionit dhe besimit në organet e drejtësisë.

Artikulli paraprakLaporta kërcënon Ksavin, i çon mesazh të qartë trajnerit pas ecurisë jo bindëse: Pa trofe…
Artikulli tjetërPerdja ra në orën 4 të pasdites së 18 dhjetorit