Banorë të një pallati të ndërtuar pas tërmetit kanë protestuar para Bashkisë së Durrësit. Në nëntor, katër vjet pas tërmetit, ata morën çelësat e apartamenteve të reja, por nuk kanë hyrë ende në to.
“Çelësat na i dhanë me tam-tame e ceremoni. Na dhanë shtëpitë e reja pa drita, pa ujë, pa gjë. Nuk merret vesh. Shko te Kesh nuk merr përgjigje, shko te bashkia jo. Çdo ditë ngelëm te dera e bashkisë. OSHEE na thotë shkoni te bashkia, këtu na thonë atje”.
“Po kërkojmë të na vejnë ujë e drita se nuk ka. Jemi akoma me qira, po paguajmë nga xhepi prej një viti. Ka të sëmurë dhe pensionistë që marrin 100 mijë lekë e duhet të paguajnë 200 e ca mijë për qiranë. Edhe rruga pranë pallatit është lënë gjithë gropa, e prishur dhe vendi ku janë matësit e ujit i pasigurt nga kati 9-të e poshtë. Po na hedhin si topa bore, si ping-pong”, u shprehen qytetarët.
Mungesa e ujit dhe energjisë elektrike nuk po i lë të gëzojnë apartamentet e reja banorët e këtij pallati, ndërsa vazhdojnë të jetojnë në banesa me qira, ndonëse prej shumë muajsh nuk marrin as bonusin e qirasë ashtu si qindra familje të tjera në Durrës, që tërmeti i la pa shtëpi.
“Na kanë dhanë dy muaj para votimeve dhe pastaj stop. Kryetaren e bashkisë nuk arrijmë ta takojmë. Vijmë këtu do i merrni këtë 3-mujor, do i merrni pas 6 a 9 muajsh. Erdhi viti i ri e s’po na i jep kush. Kemi hyrë borxh për t’i paguar ato qira. Te KESH na thonë e ka kryetarja e bashkisë. Pse të rrimë rrugëve, u shpreh një banore tjetër.
Ky pallat në lagjen nr. 6 të qytetit u ndërtua në kuadër të programit të rindërtimit, aty ku ndodhej më parë, pasi tërmeti i vitit 2019 e dëmtoi rëndë strukturën e tij. Dhjetëra objekte të tjera banimi janë në pritje të fondeve për rindërtim./ Top Channel