Gjykata Kushtetuese vendosi të rrezojë padinë e 30 deputetëve të Rithemelimit e grupit Bardhi, të cilët kërkonin pezullim e masave të sigurisë ndaj Sali Berishës dhe shpalljen antikushtetuese të tyre.
Ekonomisti Dritan Shano i ftuar në “Special Report” në ABC News, tha se Sali Berisha u braktis masivisht në zgjedhjet e 14 majit duke humbur bastionet kryesore, si bashkinë e Shkodrës dhe Kamzës.
Ai theksoi se drejtësia e re në Shqipëri ka “prishur” marrëveshjet mes të majtës dhe të djathtës në Shqipëri dhe në këto kushte, qytetarët presin drejtësi nga organet e reja.
“Ish-kryeministri u braktis në zgjedhjet e 14 majit. Opozitën nuk mund ta ringjalli drejtësia në kuptimin zbatimit të saj, por opozitën e ngjall mbështetja e drejtësisë, pa kushte. Drejtësia po prodhon politikë. Drejtësia ka prishur marrëveshjen që ka ekzistuar mes të majtës dhe të djathtës. Kjo marrëveshja do vazhdojë do prishet deri në rezultate përfundimtare, deri në pastrimin e politikës. Ngjarja e Shkodrës [humbja në zgjedhjet 14 majit] tregon se shqiptarët e kanë kuptuar këtë gjë”, tha ai.
Ai u shpreh se kreu i SPAK, Altin Dumani, duhet të shpërblejë besimin e qytetarëve, të cilët presin ndëshkim të keqbërësve dhe individëve me apo pa “xhaketë” politike, të cilët kanë abuzuar me ligjin dhe postin e tyre.
“Unë e inkurajoj Dumanin dhe të gjithë njerëzit e tjerë që janë të përfshirë në dhënien e drejtësisë. Drejtësia është për të mbrojtur qytetarët nga politikanët dhe nga këto keqbërës të mëdhenj. Në Shqipëri ka munguar rregulli i lojës. Dumani dhe njerëzit që janë pranë tij kanë të gjithë kurajën nga shqiptarët për t’u dhënë atyre drejtësi”, tha ai.
Për Shanon, i cili është një prej ish-themeluesve të PD, kjo forcë politike nuk përfaqëson më interesin e shqiptarëve. Ai u shpreh se PD mund të cilësohet lehtësisht si një parti, të cilës i ka “rënë plani”.