Bëhet gati amnistia në burgje, 400 të dënuar do të lënë qelitë. Ja kush përfiton
Më shumë se 400 të burgosur do të lënë qelitë dhe të festojnë festat e fundvitit pranë njerëzve të tyre të dashur.
Lajmi është bërë i ditur nga Ylli Manjani ditën e sotme në Komisionin e Integrimit të Kuvend, ku ka theksuar se ministria e Drejtësisë ka përgatitur draftin e amnistisë, nga i cili pritet të përfitojnë rreth 10% e të burgosurve.
Në këtë seancë dëgjimore në Komisionin e Integrimit Europian, Ministri Manjani njoftoi edhe nisjen e përgatitjes së një amnistie, ndonëse nuk e konsideroi atë një zgjidhje tërësore, duke insistuar në një mentalitet ndryshe në ndjekjen penale
“Nuk besoj që amnistia është zgjidhja e problemit. Amnistia është zgjidhja e dy muajve, pra dy muajt e parë të vitit të ardhshëm ju mund t’i zgjidhni me amnisti dhe ne po e përgatisim, por nuk është kjo zgjidhja.
Duhet të ndryshojmë mentalitetin e ndjekjes penale, apo siç na pëlqen ta themi, duhet ta “Europianizojmë”. Mua më pëlqen të them të jetë eficente. Kjo është ajo që po përpiqemi të krijojmë, patjetër bashkë dhe me një amnisti”, përfundoi Ministri Manjani.