Nga Ermal Peçi
Prej kohësh në Shqipëri nuk ka pasur një sulm kaq të ashpër dhe intimidues ndaj një institucioni, siç po ndodh me dy prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë, SPAK dhe GJKKO. Jo vetëm një gjuhë e ashpër dhe intimiduese, por dhe deklarata të cilat tentojnë të zbehin punën e drejtësisë duke i vendosur ngjyrime politike, për të krijuar propagandën e një drejtësie politike, e cila komandohet nga Rama. Gjuha e Berishës ndaj prokurorit Kraja është një gjuhë e paprecedentë, intimiduese, e cila tenton jo vetëm të prodhojë linçim e frikë, por dhe urrejtje dhe e gjitha kjo sepse ndaj tij është nisur një hetim. SPAK është një institucion, i cili në sytë e shqiptarëve po lind shpresë. Shpresë për një drejtësi, e cila në 33 vite jo vetëm ka munguar, por i ka qenë e pamjaftueshme për të ngritur një institucion të pavarur e të fortë për të luftuar padrejtësitë dhe vjedhjet që në këtë vend janë bërë me lopatë. Prej kohësh në regjistra të ndryshme të gjuhës verbale klasa politike ka sulmuar institucionet e SPAK dhe GJKKO. Sali Berisha dhe grupi i tij i Rithemelimit në asnjë moment nuk i kanë ndaluar sulmet drejtuar SPAK dhe gjuha sa vjen dhe ashpërsohet.
Në anën tjetër vetë Edi Rama që kërkon ta quajë SPAK, si një nga njerëzit që mban pararendjen e betejës së mbrojtësit. Në Asamblenë e Partisë Socialiste përdori një term jo të këndshëm kur tha; “ Nuk jemi Republikë Prokurorësh” dhe në fund të ditës dhe deklarata e Kryemadhit, e cila ishte penduar që kishte votuar Reformën në Drejtësi. Në të gjithë këto sulme politike që po i bëhen SPAK në Shqipëri vetëm Partia Demokratike dhe Lulzim Basha nuk i kanë vendosur asnjë etiketim dhe asnjë epitet metaforik këtij institucioni, por vetëm e kanë mbrojtur dhe i kanë dalë në krah. SHBA, e cila ka investuar dhe po investon fort në forcimin e këtyre institucioneve duke iu ofruar ekspertë dhe baza ligjore për t’i mbështetur në luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kanë shprehur hapur mbështetjen e tyre ndaj SPAK.
Po pse e sulmojnë SPAK!
Në fakt ajo që po ndodh në Shqipëri është shkëputja e drejtësisë nga politika dhe krijimi i polit të pavarur që tremb politikën shqiptare. Mëkatarët e këtyre 33 viteve demokraci hibride e kishin tredhur drejtësinë duke e kthyer në levën e sulmeve të tyre. Gjuha e urrejtjes e ndante drejtësinë dhe shqiptarët në tifozë, të cilët çdo ngjarje të drejtësisë e kthenin politikë, por në asnjë moment nuk flisnin për drejtësinë. Shqiptarët e ndjenin veten të braktisur dhe të pafuqishëm kur shikonin drejtësinë, e cila përfshinte prokurorë e gjykatës që nuk kishin lidhje me ligjin, por vetëm ushtarë politik që prisnin emërimet e uronin mos të shakrkoheshin. Kjo ishte drejtësia e asaj kohe, apo nuk e kujtoni ish- kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili përveç se është një person nën hetim dhe në arrati për të kërkuar azil politik sipas tij, por është ish-kryeprokurori, i cili përveç deklaratave që do të ketë arrestime të bujshme, nuk arrestoi asnjë zyrtar dhe kriminel, i cili abuzoi me shtetin. Dilte çdo ditë dhe thoshte do të ketë arrestime të mëdha e kështu iknin edhe vinin lajmet dhe qytetarët pyesnin se kur do të ndodhte. Prandaj kjo është diferenca e asaj drejtësie me drejtësinë e sotme. Kemi ish-zëvëndëskryeministër në arrati, ish-ministra në burg, ish-ministra nën hetim, ish-kryetarë Bashkie dhe ish-kryeministra që po hetohen. Prandaj të dashur qytetarë ata që sulmojnë SPAK dhe Altin Dumanin sot janë ata që dje mbronin Adriatik Llallën./dritare.net