Roland Bejko, nënkryetari i Partisë Demokratike është shprehur përmes një postimi në rrjetet sociale se nëse do të ishte deputet sot do të hynte në sallën e Kuvendit për të votuar pro heqjes së imunitetit të Sali Berishës.
Bejko u shpreh se edhe pse nuk ka asgjë personale me ish-kreun e qeverisë, qëndrimi i tij do ishte politik për shkak të qëndrimit të tij kundër “modelit të berishizmit, autoritarizmit, hipokrizisë, linçimit, dhunës fizike dhe dhunës verbale, shpifjes, përbaltjes, populizmit, anatemimit, gënjeshtrës që përfaqësohen nga deputeti që tek e fundit e solli vetveten në këtë situatë të turpshme në kurriz të demokratëve dhe vet PD”.
Sakaq, ai shtoi se “rënia e Berishës, është fillimi i fundit të Ramës”.
Reagimi i plotë:
Të dashur miq,
Unë i mirëkuptoj arsyet e mospjesëmarrjes sot të deputetëve të PD në seancën parlamentare, por më besoni, nëse unë do isha deputet, do hyja në atë sallë dhe do votoja pro heqjes së mandatit të deputetit Sali Berisha. Nuk kam asgjë personale me z. Berisha, por qëndrimi do ishte politik për këto arsye:
1. Sot do shkoja të votoja në respekt të qëndrimeve të mia dy vjeçare kundër modelit të berishizmit, autoritarizmit, hipokrizisë, linçimit, dhunës fizike dhe dhunës verbale, shpifjes, përbaltjes, populizmit, anatemimit, gënjeshtrës që përfaqësohen nga deputeti që tek e fundit e solli vetveten në këtë situatë të turpshme në kurriz të demokratëve dhe vet PD.
2. Sot do ta konsideroja si ditën që do ndante Partinë Demokratike nga e shkuara e saj, me orientimin e qartë drejt një modeli politik perëndimor.
3. Sot do ta konsideroja si një ditë historike, që do t’i jepte fund tranzicionit politik 32 vjeçar të përfaqësuar nga berishizmi si një elitë që na erdhi si zgjatim i ramizizmit të viteve 1990.
4. Sot duke votuar në parlament do votoja për forcimin edhe më shumë të partneritetit të PD me SHBA të cilët kanë dalë garant të instalimit të drejtësisë së re duke i shpallur luftë elitës së korruptuar, krimit të organizuar dhe politikës konfliktuale.
5. Sot me votën time, do çertifikoja mbështetjen absolute të PD ndaj prokurorëve të SPAK duke i inkurajuar ata të futin në rrjetën e tyre këdo nga zyrtarët që ka abuzuar me fondet publike.
6. Sot vota ime në parlament, do çertifikonte mbylljen përfundimtare të një kapitulli të erët dhe çeljen e një ere të re politike duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta të shtetit.
PS. Rënia e Berishës, është fillimi i fundit të Ramës.