Qeveria ka miratuar tabelat e profesioneve që do të futen në regjim tatimor nga 1 janari 2024.
Kështu bizneset e përfshira në listë që kanë deri në 14 milion lekë xhiro vjetore do paguajnë tatim-fitim 15%, ndërsa ato me xhiro mbi këtë vlerë do të paguajnë 23%.
Kështu janë në total 26 aktivitete dhe 180 lloje profesionesh që përfshihen në këtë skemë. Në thelbin e tij ligji synon që të tatojë të gjitha profesionet që njihen ndryshe dhe me termin “freelancer”, por duke përfshirë dhe profesionet e rregulluara me ligj.
Ato përfshijnë veprimtaritë prodhuese si konfeksionet, mobileritë, aktivitetet minerare, punimet inxhinerike ndërtimi i ndërtesave, për të vazhduar me veprimtaritë e tregtimit me shumicë, për të vijuar me disa seksione të tregtisë me pakicë.
Gjithashtu veprimtaritë e bar-restoranteve, diskove do përfshihen. Tatimi do të prekë edhe kategoritë e shërbimeve, veprimtarive artizanale dhe zejtare.
Ndërkohë, te termi i veçantë individët e vetëpunësuar do të futen një sërë aktivitetesh nga ato të agjentëve të pasurisë së paluajtshme ,tek noterët, kontabilistët, avokatët, zyrat e konsulencës, informaticienët, inxhinierët, agjencitë e udhëtimeve, operatorët turistikë, klinikat shëndetësore. Nuk harrohen as të gjitha veprimtaritë në fushën e shërbimeve financiare apo ato në fushën e sigurimeve.
Ligji përfshin dhe agjencitë e marketingut dhe publicitetit, aktivitete fotografike, aktivitetet sportive dhe ato në fushën e arsimit.
Për të marrë një shembull të thjeshtuar profesionistët e lirë do të paguajnë në rast se kanë xhiro vjetore 10 milionë lekë dhe nuk kanë shpenzime të zbritshëm, atëherë tatim-fitim i tyre do të jetë 1.5 milionë lekë. Në rast se ka xhiro 20 milion lekë dhe kalon fashën, ai do të paguajë 14 milion x 15% + 6 milion x 23%, në total 3 480 000 lekë.
Shoqatat e profesionistëve të rregulluar me ligj do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese ligjin pasi sipas tyre cenon barazinë në treg dhe bie ndesh me ligje të tjera në fuqi.