Shqipëria jonë e 2023-shit!

Nga Ermal Peçi

Historia e Shqipërisë përgjatë rrjedhës së saj ka përjetuar sisteme politike të të gjitha tipologjive, që nga Republika Parlamentare, monarkia, komunizmi e së fundmi demokracia hibride, ende e brishtë dhe pas 30 vitesh përpjekje.

Sot jemi këtu ku jemi, si për shkak të historisë së kaluar, mentalitetit të trashëguar dhe mungesës së dëshirës për t’u vetëpërmirësuar. Të qenit evropian, vlera të cilat i admirojmë, i dëshirojmë të jenë tonat, aq shumë, por ngecim në implementim.
Tentativa për transplante, të cilat deri më tani kanë rezultuar pjesërisht të suksesshme.
Pse? Kur një popull e dëshiron aq shumë Evropën dhe vlerat evropiane sa i duam ne, ku është ngërçi?

Në fakt asnjë nga komponentët që përbëjnë një shoqëri të shëndetshme nuk duket se funksionon siç duhet; sistemi arsimor, familja, edukata që një individ mund të marrë në ambientin e punës, shoqëria, media dhe e fundit modelet politike, të glorifikuar në mentalitet, figura, të cilat prodhojnë humor grotesk, e të cilat gjithmonë e më shumë i largohen qëllimit e detyrimit të tyre funksional.

Analiza e ana-listë të lodhur, të cilët nuk bëjnë asgjë tjetër; perveçse riprodhojnë po të njëjtat fakte e skenare filmash. Ndërsa “The brain” hesht, nuk ndihet kurrkund, nuk ftohet askund. Ndërkohë Evropa që duam e peshon trurin, ia mban fjalët vath në vesh, “their mind is pure gold”, por në Shqipëri duket se ska nevojë njeri. Ne jemi ata që i dime të gjitha, opsionet tona janë ato të saktat e të duhurat dhe jemi aq fanatikë ndaj idesë, e cila ndoshta nëse do ishim të hapur për diskutim mund të përmirësohej, ndaj kritikës së shëndetshme, e cila të rrit.

Përgjithësisht shihet një tendencë mjerisht e përhapur për të mos dëgjuar, për të mos marrë në konsideratë, por dhe mënyra e të kërkuarit të vëmendjes, e të thënit të sugjerimit çedon, nuk dimë të kërkojmë ose nuk duam. Vlera, civilizim e qytetari, koncepte teorike që rrallë artikulohen e shumë pak i shohim.

Mendimi i lirë, arritja e një konkluzioni nga mendja e dikujt, pa u paguar nga dikush, pa u ndikuar nga askush, mugon, nuk është në modë.
Media u përshtatet trendeve, të cilat bëhen virale, gjenerojnë të ardhura dhe ky qëllim afatshkurtër, prodhon probleme afatgjata.
Ky nuk është problemi i vetëm, politika po ashtu ndjek të njëjtin model ushqyes, folklorik, “alla provincial”.

Në një epokë ku shëndeti mendor është një ndër sëmundjet më shqetësuese me impakt të drejtpërdrejtë jo vetëm në mirëqenien e individit, por dhe të atyre që e rrethojnë.
Mungon vizibiliteti i rritjes së aftësisë së individit për të menduar në mënyrë të pavarur, të pandikueshme, siç duhet të jetë një qenie njerëzore, unike.

Një pjesë e mirë e shoqërisë ndikohen nga familja, shoqëria, trendet, shkrihen me masën derisa nuk mbetet më gjë nga thelbi origjinës së origjinalitetit të tyre. Ndoshta është më e thjeshtë për t’u pranuar, ndoshta është më e lehtë kështu, por Evropa tashmë do origjinalitetin dhe autenticitetin.

Vlerat perëndimore nuk kanë brirë, njerëzit i japin jetë, vlerë, kudo që të shkosh emërues i përbashkët është zbatimi i ligjit dhe qytetaria, për të cilat mendoj se ne kemi shumë, po shumë punë përpara.

Rrjetet sociale bombardojnë trurin e përdoruesve me lloj-lloj informacionesh, disa të vërteta, disa gjysmë të vërteta dhe disa të pavërteta. Një lumë informacioni audiovizual që ruhet diku, në një cep të trurit të çdo përdoruesi, varet se çfarë kërkojnë të shohin.

Postimet e jetesës së luksit, makinave, veshjeve, apartamenteve, pushimeve madje deri tek ushqimi, krijojnë steriotipe, modele që mund të mos jetë të prekshme, të jetueshme për një pjesë të spektatorëve përdorues të këtyre rrjeteve. Kush nuk e do të bukurën, luksin, rehatinë, komoditetin? Çdo qenie njerëzore pa përjashtim. Por çfarë ndodh kur realiteti jetësor i çdo individi është shumë larg llustrës së marketingut? Ah sikur ta kisha unë këtë lloj jete? Ushqehen ndjenjat e zhgënjimit, pasigurisë, inferioritetit, mllefit, stresit, ngërçit në një shoqëri që nuk të ofron opsione, përveç zhgënjimit.

Shumë të rralla janë postet ku tregohet rruga, puna, mundi, mësimi qoftë i një aftësie të re. Truri bën një kalkulim të shpejtë, që nuk ja vlen të ndjekësh pasionin, ëndrrën tënde pasi përfitimi ekonomik nuk do ta mundësojë jetën luksoze, me të cilën syri dhe mendja bombardohen në mënyrë konstante.

Hobi ynë janë komentet mbi politikën, të cilat as një pasdite të këndshme nuk mund të prodhojnë e jo më rezultate të prekshme në realitet, kohë e çuar dëm…

A kemi ne një shoqëri me një qëllim pak më të gjerë se vetja? A kemi një shoqëri, e cila mund të zhvillojë mendim analitik autonom?
Potenciali është, ndoshta mungon vetëm një shkëndijë e vogël në kalimin e pragmatizmit në pak fare më shumë altruizëm./dritare.net

Artikulli paraprakRrjetet sociale, si droga! Probleme me ankthin, depresion dhe obezitetin/ Kush janë tri hapat që shërojnë varësinë
Artikulli tjetërMiratohet amendament i ri për emigrantët në Greqi, shanset e legalizimit për punëtorët sezonalë dhe kurthet që duhen shmangur