Fragment i shkëputur nga “Spaçi” i Maks Velos
…Nuk i dhashë aq rëndësi thesit bosh të zhdukur. Të nesërmen vjen operativi i ri Shyqi, tiranas, dhe i jep urdhër policit:
– Mblidhi!
U rreshtuam. Shyqi nxjerr nga rreshti Myfitin, i burgosur nga një fshat i Skraparit, dhe i hedh në këmbë një letër çimentoje. Letra u hap dhe të gjithë sa ishim aty, diçka pamë që ishte shkruar me gërma të mëdha. Operativi thotë:
– Herën tjetër mos më fut në kutinë e postës thasë se më zë tërë kutinë. Të kemi thënë, nuk kërkojmë, nuk duam informata prej teje. Prandaj të dënuam se spiunove tërë fshatin. Por vazhdon edhe këtu. Rri urtë se do të të çoj në Burrel.
Operativi iku. Myfiti vazhdonte të buzëqeshte. Po me atë buzëqeshje naive që ma kish marrë zemrën në kamp.
– Më merr në brigadë se jam pa ndihmë!
Ngre letrën nga toka dhe e hap. Gërmat ishin shumë të mëdha, nuk shkruante dot me gërma të vogla dhe i duheshin letra të mëdha për të denoncuar shokët.
Ai ishte i sëmurë. Kishte sëmundjen e spiunimit, ia kishte infektuar komunizmi.
Tani ky i sëmurë nuk duhej më.
Operativi nuk ia pranonte informatat.
Sëmundja e tij ishte një delir.
Sistemi komunist ishte sistem perfekt i informacionit të kotë.
Socializmi shqiptar si Myfiti: DONTE TË SPIUNONTE EVROPËN NË THASË ÇIMENTOJE….
Maks Velo, “Spaçi”, fq. 202