Vendimi historik i Gjykatës Europiane të Drejtësisë (GJED), që i quan FIFA-n dhe UEFA-n “shpërdorues të pozitës dominuese” (për momentin ato janë të vetmet që mund të krijojnë gara, edhe me mundësinë e ndalimit të të tjerave), gjeneron një panoramë komplekse ligjore që tani e tutje. Sipas vendimit, çdo shoqëri do të jetë në gjendje të krijojë turne lirisht.
Në këtë kuadër përfshihet dhe Super Liga, e cila fill pas vendimit të GJED-së njoftoi se si do të organizohej kompeticioni që propozon: 64 klube, tre divizione, 14 ekipe… Në çdo rast, të mendosh për ngritjen e menjëhershme të Super Ligës duket e ndërlikuar. Si fillim, klubet duhet të binden që t’i bashkohen projektit dhe jo të gjithë thonë se janë pro. Për më tepër, rregulloret aktuale, pavarësisht vendimit kundër tyre, mbeten në fuqi dhe parandalojnë që të ketë një konkurrencë tjetër paralele deri në ndryshimin e tyre.
Për të ndryshuar panoramën, së pari duhet të ndryshohet rregullorja aktuale. “Pas vendimit, GJED-ja njeh UEFA-n si organizatore të piramidës që duhet të ketë futbolli. Realiteti është se, tani asnjë projekt nuk ka autorizim për të ecur përpara, pjesa tjetër është e rreme” shpjegoi Ceferini.