Etrit Berisha, portieri ideal

U thye nga një penallti, por Etrit Berisha ka marrë përsëri vlerësime maksimale në ndeshjen e kësaj jave në Serinë A, ku Atalanta e tij mposhti me shifrat 2-1 Romën, duke realizuar një përmbysje të çmendur. Nëse pritja e portierit shqiptar ndaj Salah u vlerësua ndër 5 më të mirat e kësaj jave, e përditshmja italiane “La Gazzetta Dello Sport” shkon edhe më larg duke përzgjedhur pikërisht 27-vjeçarin nga Prishtina si portierin e formacionit ideal të javës së 11 të Serisë A.
Kjo është një arritje, e cila nxjerr në pah edhe një herë cilësitë e Berishës, i cili më në fund ka gjetur te Atalanta klubin, i cili kishte besim të plotë te ai dhe mendohet se do ta mbajë gjatë në Bergamo. Bisedimet mes Atalantës dhe Lacios vazhdojnë dhe në janar pritet që të formalizohet transferimi i tij përfundimtar nën urdhrat e Gasperinit ku askush nuk do të rrezikojë fanellën e tij të titullarit.

Artikulli paraprakDekriminalizim edhe në Kosovë
Artikulli tjetërZëdhënësja e KE: Përse u vendos autorizimi 5 euro